Tag Archives: Kosova

28 Korrik

Çfarë e bën një njeri të lumtur? Plotësimi i dëshirave të çastit, të papriturat që mund të quhen edhe befasi që ngjajnë për mirë apo është realizimi/plotësimi i ëndërrave të cilat jo rastësisht por përmes punës së palodhshme edhe vijnë deri në atë plotni e cila sjell qetësinë dhe durueshmërinë e të jetuarit?
Secila nga këto pyetje në mënyrën e vet ngjet në situata të ndryshme. Në periudha të caktuara…

Më e pakëndshmja në këtë mes: kur s’ka dëshira çasti, s’ka befasi, s’ka ëndërra dhe me këtë s’ka as plotësim të tyre.

Nga larg e shoh një vend dhe një popull ku të trija këto shtylla ekzistence private/personale e kolektive u janë privuar nga kasta të korruptuara politike dhe intelektuale.

Një shtet dhe nënqiell ku çdo gjë është lajm dhe histeri. Konspiracion dhe kandar kumtesh të zeza…

Nëse ndiej keqardhje për vendin që i takoj(a)?

Jo edhe aq.

Sepse çdo popull e ka regjimin që e meriton.

13 Maj

Është Datë 13 dhe është e Premte. Por jo e premte ters, e zezë, fatkeqe.

Përkundrazi.

Orët e vona të mbrëmjes së këtij 13 Maji të së premtes Kosovën e bëjnë anëtare të FIFA-s.

Dhe kjo gëzon këdo. S’ka nevojë të mendohen së paku breza e breza shqiptarësh që u dogjën dhe nuk ishin pjesë e fushave të blerta vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë… ishin nga Kosova.

Gëzimi në shkronja dhe pamje duhet ta ngulfatë trishtimin e dekadave të shkuara…

16 Shkurt

Kosova. I kthehem kutisë së kujtimeve.  Shoh veten në Kosovën e para 8 viteve në delir. Dhe natën para shpalljes së pavarësisë.

Kujdes e gëzim.

Dhe një zbulim: të jetosh tre kohë në një jetë kaq të shkurtër njeriu.

Njeriu që përjetoi e bashkëjetoi tre periudha të jetës:

Jetë në robëri.

Jetë në liri.

Jetë në pavarësi.

Të gjitha kolektive.  Por edhe personale.

Kjo e fundit më shumë e mveshur me dëshpërime dhe pësime.