Tag Archives: Kosova

27/12

2017-arthimedes-shutterstock-660-07

KOSOVË 

– 4 janar – Kryetari i Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj (kryeministri aktual i Kosovës), i cili gjatë kohës së luftës në Kosovë ka qenë njëri nga komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për zonën e Dukagjinit, ishte ndaluar nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhërarrest të Serbisë të lëshuar në vitin 2004. Kjo shkaktoi reagime dhe protesta të shumta në Kosovë.

– 12 janar – Haradinaj u lirua me kusht nga autoritetet franceze ndërkaq vazhdonte procesi ku shqyrtohej për ekstradim apo jo të tij në Serbi.

– 14 janar – Nga Serbia niset një tren, me qëllim të lançimit të linjës hekurudhore Beograd-Mitrovicë. Ky veprim u vlerësua nga pala kosovare si një provokim i rëndë, ku në trenin kishte shënime se Kosova është Serbia, dhe po ashtu kishte motive dhe afishe nacionaliste serbe.

– 25 janar – Mbahet takimi mes delegacioneve shtetërore të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, i cili synonte uljen e tensioneve mes dy vendeve pas provokimit të Serbisë me trenin dhe arrestimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Në takimin me shefen e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, Kosova u përfaqësua nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri i atëhershëm Isa Mustafa, ndërsa Serbia nga ish-presidenti Tomislav Nikoliç dhe presidenti aktual dhe ish- kryeministri Aleksandar Vuçiç.

– 2 shkurt – Në Bruksel me ftesë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, u zhvillua takimi i dytë i nivelit të lartë mes delegacionit të Kosovës të përbërë prej presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa dhe të ish-presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliç dhe kryeministrit të asaj kohe, presidentit aktual të Serbisë Aleksandar Vuçiç.

– 3 shkurt – Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg vizitoi Kosovën.

– 4 shkurt – Shembet muri ilegal para urës në lumin Ibër, në përputhje me marrëveshjen e arritur mes qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve politikë të serbëve.

– 27 shkurt – Bangladeshi njeh pavarësinë e Kosovës, Ky është shteti i 114-të që e njeh pavarësinë e Kosovës.

– 3 mars – Kosova është anëtarësuar në Konventën themelore të Këshillit për Bashkëpunim Doganor dhe Organizatën Botërore të Doganave.

– 7 mars – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi inicioi projektligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), i cili parasheh ndryshimin e mandatit ekzistues të kësaj force në ushtri të Kosovës. Ai e dorëzoi këtë projektligj te kryetarit i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

– 25 prill – Fondacioni Maarif i Turqisë fillon aktivitetet e tij në Kosovë, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kolegjin International American Academy of Kosovo (IAAK).

– 27 prill – Gjykata e Apelit në qytetin francez Colmar, ka liruar Ramush Haradinajn.

– 10 maj – Me kërkesë të opozitës, Kuvendi i Republikës së Kosovës me 78 vota pro, 34 kundër dhe 3 abstenim votoi për mocionin e mosbesimit të Qeverisë, ku vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme. Votimi u mbështet edhe nga partneri i koalicionit qeveritar Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas mocionit të mosbesimit të qeverisë vendosi shpërbërjen e Kuvendit dhe deklaroi se më 11 qershor do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

– 11 qershor – Mbahen zgjedhjet e parakohshme të Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku garuan 26 subjekte politike: 19 parti politike, pesë koalicione dhe dy nisma me gjithsej 971 kandidatë.

– 8 korrik – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme, sipas së cilës koalicioni PAN (PDK-AAK-NISMA) fitoi 33,74 për qind të votave (39 deputetë), Lëvizja Vetëvendosje 27,49 për qind të votave (32 deputetë), koalicioni LDK-AKR-Alternativa 25,53 për qind të votave (29 deputetë). Ndërkaq, 20 deputetë janë nga partitë e minoriteteve.

– 7 shtator – Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, me 62 vota pro nga 120 deputetë, u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës. Veseli ishte zgjedhur kryetar pas gjashtë ndërprerjeve të seancave konstituive për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Veseli ishte propozuar nga fituesi i zgjedhjeve, koalicioni parazgjedhor PAN, meqë sipas Kushtetutës së Kosovës grupi më i madh parlamentar dhe fitues i zgjedhjeve parlamentare duhet ta propozojë kandidatin e tij për kryetar të Kuvendit.

– 9 shtator – Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër me 61 vota pro dhe qeveria e re e Kosovës u formua nga koalicioni Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), NISMA për Kosovën, Aleanca Kosova e Re (AKR) dhe Lista Serbe.

– 22 tetor – Mbahen zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës. Në zgjedhje morën pjesë 91 subjekte politike, prej tyre 1 koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte akredituar 33 mijë e 200 vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar për këto zgjedhje. Këto ishin zgjedhjet e shtata lokale në Kosovë.

– 27 tetor – Shtetasi Turk Ugur Toksoy u arrestua sipas kërkesës së Ministrisë së Drejtësisë të Republikës së Turqisë për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist, FETO/PYD”. Për të ishte caktuar masa e paraburgimit prej 40 ditësh.

– 4 nëntor – Toksoy ishte liruar me kaucion prej pesë mijë euro të dorëzuara në gjykatë.

– 19 nëntor – Mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Republikën e Kosovës. 19 komuna shkuan në balotazh për përcaktimin e kryetarit të Komunës.

– 24 nëntor – Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykimin për 5 të akuzuarit për kryerjen e sulmit ndaj Konsullatës së Republikës së Turqisë në Prizren, të cilët janë dënuar me nga një vit burgim secili, për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm. Kurse ata janë liruar nga akuza e rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

– 26 nëntor – Madagaskari njeh pavarësinë e Kosovës. Madagaskari, i cili ndodhet në brigjet jug-lindore të Afrikës, është shteti i 115-të që e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

– 15 dhjetor – Në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shtetasin turk, Uğur Toksoy, prokurori ka tërhequr kërkesën për ekstradimin e tij në Turqi, me arsyetimin e mungesës së provave relevante.

 

 

SHQIPËRI

– 18 shkurt – Opozita në Shqipëri e udhëhequr nga Partia Demokratike e Shqipërisë filloi një protestë në Tiranë, protestë kjo cila vazhdoi për 3 muaj në çadrën e vendosur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në kryeqytetin e Shqipërisë, me kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike për organizimin e zgjedhjeve parlamentare.

– 28 prill – Ilir Meta, ish-kryetar i Kuvendit të Shqipërisë dhe ish-kryeministër i vendit, zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë president i vendit, pas disa raundesh votimi të dështuara në seancat parlamentare. Meta i cili zëvendësoi në këtë post ish-presidentin Bujar Nishani, zyrtarisht e mori detyrën për mandatin 5-vjeçar presidencial më 24 korrik.

– 18 maj – Pas negociatave të realizuara mes kryeministrit të Shqipërisë, dhe njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kreut të opozitës, njëkohësisht kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u zyrtarizua marrëveshja Rama-Basha, që parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare jo në datën e dekretuar fillimisht më 18 qershor, por më 25 qershor.

– 14 qershor – Gianni De Biasi, zyrtarizoi largimin e tij nga drejtimi i Kombëtares së Shqipërisë në Futboll, ndërsa në vend të tij Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) prezantoi në këtë detyrë më 14 korrik Christian Panuccin.

– 25 qershor – Në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, për zgjedhjen e 140 deputetëve për legjislaturën e re të Kuvendit të Shqipërisë. Partia Socialiste e Shqipërisë fitoi zgjedhjet duke siguruar 70 deputetë, Partia Demokratike 43 mandate, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim 19 mandate, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 3 mandate dhe Partia Social Demokrate 1 mandat.

– 26 gusht – Në Durrës u mbajt takimi joformal i kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili kishte për qëllim thellimin e integrimit rajonal me theks të veçantë në ekonomi dhe tregti.

– 9 shtator – Gramoz Ruçi, deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë zgjidhet kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

– 13 shtator – Kuvendi i Shqipërisë miratoi programin dhe përbërjen e re të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama merr votëbesimin e deputetëve për mandatin e dytë qeverisës.

– 16 shtator – Në Tiranë u mbajt takimi i Komitetit Ushtarak të NATO-s, me pjesëmarrjen e shefave të shtabeve të përgjithshëm të ushtrive të vendeve anëtare të Aleancës, ku i pranishëm është edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar.

– 8 tetor – Shtetasi turk Muhammet Yasir Aydoğmuş, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i cili kërkohet nga autoritetet turke për lidhje me organizatën terroriste FETO, pasi u arrestua nga Policia e Durrësit më 8 tetor (data sipas policisë), kërkoi azil politik në Shqipëri.

– 19 tetor – Prokuroria për Krime të Rënda e Shqipërisë i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit dhe ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa më 25 tetor Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi kërkesën

– 27 nëntor – Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Kosovës kanë mbajtur mbledhjen e katërt të përbashkët në qytetin e Korçës, ndërsa në përfundim të saj u nënshkruan disa marrëveshje dhe protokolle bashkëpunimi.

– 1-2 dhjetor – Shqipëria u përfshi nga moti i keq, me reshje të dendura të shiut në disa qytete të vendit, nduke shkaktuar përmbytje, ku si pasojë u evakuuan qindra persona. Shqipërisë i ofruan ndihmë disa vende nga rajoni, si dhe organizata dhe institucione nga Turqia, për shkak të përmbytje.

– 5 dhjetor – Ministri i Jashtëm i Republikës së Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka vizituar Shqipërinë në kuadër të ceremonisë së ndarjes së Çmimeve “Mehmet Akif Ersoy” në Shkencë dhe Art, ku ministri Çavuşoğlu është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa” nga universiteti Mehmet Akif Ersoy, ndërsa në ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.

– 15 dhjetor- Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë kanë mbajtur takimin e parë të përbashkët ndërqeveritar në Pogradec të Shqipërisë.

MAQEDONI

Në vitin 2017, Maqedonia hyri me një krizë politike, e cila me mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare më 11 dhjetor të vitit 2016 pritej të përfundojë. Pas zgjedhjeve, partitë politike negociuan me qëllim formimin e qeverisë, ndërsa për shkak të kësaj krize që vazhdoi edhe gjatë muajve të parë të këtij viti, institucionet shtetërore nuk ishin plotësisht funksionale, gjë që e vështirësoi më shumë funksionimin normal të qytetarëve të këtij vendi. Fillimi i vitit 2017 poashtu ishte edhe skenë e protestave të iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët”.

– 27 prill – Pas zgjedhjes së Talat Xhaferit kryetar të Kuvendit të Maqedonisë, protestuesit e iniciativës qytetare “Për Maqedoni të përbashkët” të cilët u tubuan jashtë shtëpisë ligjvënëse, u futën me forcë brenda institucionit. Si rezultat i protestuesve të dhunshëm që synonin deputetët, u plagosën rreth 100 persona, duke përfshirë deputetë, pjesëtarë të forcave policore dhe përfaqësues të mediave.

– 4 maj – Pas një periudhe disa mujore negociatash, që vijuan pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit 2016, u formua shumicë parlamentare.

– 17 maj – Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i dorëzoi mandatin Zoran Zaevit, liderit të Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), për të formuar qeverinë e re në Maqedoni.

– 8 korrik – Stadiumi kombëtar “Filipi i dytë” në Shkup priti finalen e UEFA Superkupës mes skuadrave Real Madrid dhe Manchester United. Në këtë ndeshje morën pjesë mijëra tifozë nga vende të ndryshme evropiane.

– 2 nëntor – Njoftohet dënimi i 37 të akuzuarve nga grupi i armatosur për ngjarjet e 15 majit të vitit 2015 në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës, në të cilin shtatë persona u dënuan me burgim të përjetshëm, katër u liruan dhe të pandehurit e tjerë morën dënim me burg prej 12 deri në 40 vjet.

– 23 nëntor – Qeveritë e Maqedonisë dhe Bullgarisë zhvilluan një seancë të përbashkët mes dy qeverive në Strumicë të Maqedonisë, pas së cilës ministrat e institucioneve të të dy vendeve nënshkruan marrëveshje dhe memorandume në disa fusha me rëndësi të përbashkët, ndër të cilat marrëveshje për intensifikimin e punëve të jashtme, trajnimin e vozitësve në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimin në raste të katastrofave, marrëveshje për heqjen e roaming-ut, si dhe të tjera në fushën e investimeve, energjetikës, mbrojtes dhe turizmit.

– 5 dhjetor – Gjykata Penale shqiptoi paraburgim 30-ditor për deputetët Krsto Mukoski, Ljuben Arnaudov dhe Sasho Vasilevski, ndërsa për deputetët Johan Tarçulovski, Zhaklina Peshevska dhe Ljupço Dimovski shqiptoi arrest shtëpiak. Deputetët akuzohen si pjesëmarrës në ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, ku 36 persona janë në ndjekje penale.

– 10 dhjetor – Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dha dorëheqjen e tij nga udhëheqja e partisë. Në krye të partisë, Gruevski është që nga viti 2003.

/shqiptarja.com/

08/02

Ua kam këtë pyetje që të treve. Së pari Fatmirit (Limajt), së dyti Ramushit (Haradinajt) dhe së treti Albinit (Kurtit).

Fjalë për fjalë dhe veç e veç: “Keni parë apo dëgjuar ndonjëherë që në historinë e Kosovës, një i burgosur për politikë… për çfarëdo politike- nga NDSH-istët përmes Adem Demaçit deri tek (ja po i them!) Azem Vllasi a Remzi Kolgeci (se do ti, edhe këta kanë qenë në burgje…) të jenë kthyer në poste politike publike?… Dhe deri tek ju… tre”?!

Fatmiri, Ramushi, Albini.

Treshja e cila prejse është liruar nga burgu janë me e në parti por në poste publike nuk arritën që nuk arriten të hyjnë a kthehen.

(E kam pyetur edhe Adem Demaçin për këtë çështje… Por s’është vendi ta them përgjigjen e tij)

Dhe tani: a i kujtohet dikujt se çfarë flitej dhe diskutohej para një viti? Para një viti krejt Kosova shikonte drejt 17 Shkurtit. Jo festës së përvjetorit të pavarësisë. Por festës së tubimit të opozitës. Opozita atbotë quhej dhe bëhej nga VV!-ja, AAK-ja, Nisma e plot popull…

Nuk ua njoh partitë sepse s’e di si funksionojnë dhe veprojnë.

Ua njoh historinë, vuajtjet, “çështjen” dhe çështjen për të cilën kanë rënë e janë dergjur nëpër burgje të Beogradit e Hagës…

Dhe i shoh sot, që të tre: njëri (Fatmiri) i rrënuar përtoke me akuza bizare për vrasje; tjetri (Albini) i njollosur me akuza fashiste pse shëtit vajzën e tij me karrocë në një fshat të Europës dhe Ramushi i kapërthurur mes paqartësisë dhe pabesisë me të njejtat tema të cilat i ka përmbyllur qe 3 vite.

Që të tre të katandisur.

Për një shkak dhe me një dënim: sepse s’e çuan deri në fund punën që e nisën para 1 viti.

Dhe tash pyes dhe pyetemi për pse-në?

Them se do të vazhdojnë t’i katandisin derisa të mos e kuptojnë që të tre, ndaras a bashkë që nëse edhe njëherë do t’ju vie shansi duhet ta PËRMBYSIN këtë regjim që e ka burgosur një vend dhe një popull.

Sepse çlirimi i kësaj Kosove kështu nuk do të vie as nga Zoti i cili seç e ka atë-ndihmomë pak të të ndihmojë shumë…

27/01

Të flasësh me Ukin, Uk Lushin dmth. të flasësh me vetveten. (Njeriu e sheh veten në sytë e miqve të tij). Janë të rralla, për të mos thënë të pamundshme, rastet pa kaluar dy ose tre javë pa folur me të… Me orë e orë. Nga fëmijëria, rinia, Stuttgarti, Frankfurti, Bonn-i, Berlini dhe deri tek New Yorku e Washingtoni ku ky jeton tash e sa vite.

Nuk është kohë kujtimesh.

Por veprimesh.

Dhe e shoh veten të  pafuqishëm, si çdo europian, si çdo shqiptar, të deshifrojë dramën e madhe amerikane me Presidentin e ri. Që i bie: janë të kotë App-s të NYT, The New Yorker, Washington Post… Sepse Presidenti i ri, Kabineti i tij i ri, kanë tjetër perceptim dhe sidomos qasje në politikën e tyre karshi Kontinentit të tyre.

Dhe shqiptarëve.

Shqiptarëve të strukur e frikësuar nga fushata(t). Pro Hillary e contra Trump. Edi e Hashimi. Dhe Serbia. Serbët e marrë që gjatë tërë fushatës edhe shpikën intervista (Nedeljnik) me Trump edhe shpresojnë që Putini do shkyhet për ta…

Është Uki ai që sërish më qetëson.

Dhe më tregon për telefonatat e tij, skriptet nga Pentagoni për Ballkanin dhe Kosovën. BE-në dhe NATO-n, Ushtrinë e ardhshme të Kosovës…

 

24 Dhjetor

Nuk kanë së rreshturi… lajmet për dy vëllezër të moshës 28 dhe 31 vjeç të “lindur” në Kosovë që u arrestuan para dy ditësh nga policia gjermane.

Kjo është e tëra.

Pos faktit që mediat gjermane ndjekin njoftimin zyrtar të Shtetit që fjala është për dy salafistë islamikë të cilët në bazë të përgjimeve që po Shteti u ka bërë dhe ka parë rrezikun që këta mund të bëjnë një sulm terrorist në CentrO të Oberhausenit në NRW.

Arrestimi dhe hetimi vjen në një çast kur tuniziani A.A. kafshërisht me kamion mësyu Tregun e Krishtlindjeve në Sheshin Breitscheid në mes të Berlinit.

Lirimi i dy vëllezërve të lindur nga Kosova është i mistershëm ashtu sikurse edhe arrestimi i tyre.

Dhe kjo… kjo u shërben publicistëve të Kosovës të nxjerrin menjëherë konkluzat e tyre: për “diasporën” e radikalizuar.

Edhe unë them që diaspora është e radikalizuar: në integrimin e saj (pothuajse) të plotë në shoqërinë gjermane, në shtetet europiane.

Shqiptarët e Kosovës por edhe Shqipërisë, Malit të Zi, Preshevës e deri diku edhe Maqedonisë janë të vetmit shqiptarë që janë edhe shqiptarë edhe europianë.

Që mes tyre ka edhe të çmendur si Arid Uka… nuk dyshoj.

Por që të thuhet për ta që po “radikalizohen” është një budallëllëk që veç në Prishtinë ia gjen sojin.

Në Prishtinë, Kryeqyetin e Shtetit i cili në vitin 2015 kishte më së shumti banorë për kokë në Luftën e Sirisë.

Apo e kanë harruar tekstin e NEW YORK TIMES?

Janë Krishtlindjet.

Është kohë për Urimesh!

 

23 Dhjetor

Ditë e çuditshme.

Mëngjesi më mbërthen në tavolinën e punës: me lajme, lajme, lajme.

NRW, Oberhausen, Duisburg, CentrO.  2 Vëllezër të lindur nga Kosova arrestohen në orët e vona të natës sepse organet e sigurisë kishin dyshime të forta që këta po përgatisnin sulm në CentrO. 250 dyqane. Çdo gjë mëpas është e panjohur. E panjohura e frikshme.  Që nga emrat e tyre (thuajse kjo ka ndonjë rëndësi ky fakt).

Milano. Itali. Anis Amri, vrasësi i njerëzve të pafajshëm në Berlin vritet pranë një stacioni treni.

Lajmi për vëllezërit nga Kosova humbet. Sepse Amri është lajmi, është tema, është lehtësimi me të cilin flasin të gjithë: nga mediat deri tek Merkel.

 

5 Shtator

Janë orët  e vona të natës së së 5 Shtatorit.

Një natë e cila s’u ngjet krejt tjerave.

Mes leximit të lajmeve, shikimit të ekraneve, vëzhgimit të dy fushave të futbollit. Në shumës krejt këto. Mes Finlandës së largët dhe Shkodrës aty pranë.

Kosovë a Shqipëri- kjo është pyetja?

Në të s’përgjigjet askush definitivisht.

Sepse janë të dyja.

Dhe shih ti: bën edhe të dyjat të shihen. Bën edhe të dyjat të duhen. Bën edhe me të dyjat të jetohet.

Kjo po që është një veçanti.

Shqiptare kuptohet.

16 Gusht

Një budalla lëshon një gur në lum… dhe njëqind të mençur vrapojnë ta nxjerrin prej aty! Këtë thënie të popullit ma kujtoi sot një kolumnë e Andi Bushatit për Milot Rashicën i cili ka vendosur ta lëshojë Kombëtaren Kuq e Zi dhe të do të luajë për Kombëtaren e Kosovës.

Problemi: Andi Bushati nuk është edhe aq budalla. Sepse budallallëku i tij i lën prapa sidomos reaguesit e tij nga Kosova të cilët i vërsulen me edhe më shumë budallallëk po Bushatit qëllimisht të “nervozuar”.

Pak a shumë e kam pritur këtë debat i cili prej pranimit të Kosovës në UEFA e FIFA dhe sidomos prej fitores së Majlinda Kelmendit në Rio në një formë a tjetrën kishte filluar. Dhe tashti do të eskalojë e eskalojë deri në Kulm. E Kulme do quhen përballjet e Kombëtareve të Shqipërisë me ato të Kosovës.

S’e kam ndërmend të bëhem pjesë e tyre.

Është humbje kohe. Sepse debatin me vetveten e kam mbaruar tashmë. Para fillimit të Kampionatit Europian në Francë në Kolumnat për NZZ.

Dita e nëntë

Li Conchi 28. Një vilë. Një në mesin e 40 copëve për të cilat A & A tërë kohën thoshin që nga fotografitë në internet kanë diçka snobeske në shikimi virtual. Prej arkitekturës përmes tarracës e deri tek pishina. Snobe këndej e snobe andej- të dyja janë të impresionuara nga “rregulli” pothuajse gjerman kundruall “kaosit” italian të vilave në Via Belvedere. Pa folur për televizor, Wlan, pishinë…

Dhe kjo dmth. që sot kanë dhe kemi ditën më të bukur të pushimeve. Mbase edhe pse jemi në një ambient i cili është si në shtëpi- për të qenë edhe më preciz- edhe më mirë se në shtëpi. Kjo po që është Itali. Jo nuk është itali. Është ishulli i madh i rrethuar nga ujërat e kaltërta dhe pastra ku flitet një italishte që as italianët s’e kuptojnë: sardezët janë sardezë.

Dhe pas Costa Rei kanë edhe plazhin tjetër- sipas foreve të internetit më të mirë në Europë- plazhin Cala Sinzias. Del të jetë një plazh i mirë- por për këtë i mbushur me më shumë njerëz- pazakonshmërisht më shumë sesa Costa Rei apo tjerat- me të ri. Të jetë kjo arsyeja pse interneti e shtyen këtë plazh të jetë kaq i lavdëruar? Sepse pos faktit që është një Gji- dhe ka shumë rini… edhe aq shumë nuk dallon nga plazhet tjera. Apo të jetë që është rinia… ajo që tashmë e kam kaluar dhe nuk e ndjej më veten pjesë të këtyre brezave që jetën e shohin përpara dhe janë në shijimin e yjeve në zenite.

Kjo po që është një mbrëmje: ta shohësh në Itali (megjithatë tashti Sardenja është Itali!) sesi shqiptarja nga Kosova Majlinda Kelmendi mundi Odetta-n dhe mori Medaljen e Artë në Rio… Po që është gëzim. Të jetë kjo klithja e vetme në brigjet e ishullit sardez për fitoren e Majlindës? Mbase.