Category Archives: Uncategorised

04/03

Nëse i pyesni rreth 510 milionë qytetarët e Bashkimit Europian (BE-së) se cili është Presidenti i tyre, cili është Kryetari i Parlamentit të tyre dhe sidomos cili, në këtë rast, cila është Ministrja e tyre e jashtme… do të çuditeshit që as 10 përqind e tyre nuk do ta dijnë përgjigjen.

Nëse i pyesni qytetarët e Ballkanit Perëndimor se kush është SuperMinistrja e Jashtme e BE-së, rreth 90 përqind do ta thonë emrin e saj: Federica, italianja, Mogherini.

Kjo diskrapancë flet jo për injorancën e qytetarëve të BE-së dhe inteligjencën e ballkanasve por për diçka krejt tjetër: për atë që ballkanasit në Mogherinin shohin mallin dhe synimin e tyre- për t’u bërë pjesë e një komuniteti i cili viteve të fundit (kriza e Greqisë, milionat e refugjatëve sirianë e afrikanë, BREXIT-i, Trump-i, jobalancimi i superforcës së Berlinit) po kalon në krizë jo veç identiteti por edhe organizimi të brendshëm.

Në krejt këtë katrahurë të frikshme kur edhe priten zgjedhje jetike për tre shtete të fuqishme në Europë (Holandë e Francë në Prill- dhe Gjermani në Shtator) Ballkani e ka të qartë që nuk është askund në agjendën e procesit të integrimeve. Kjo vlen për vende si Serbia apo Shqipëria e Bosnja e Hercegovina me Malin e Zi dhe Maqedoninë dhe fare në fund edhe Kosovën e cila vazhdon të jetë e mbërthyer në qarkun e një meritokracie e cila shtetin e ka kapur në çdo segmet të tij.

Do të duhej shumë kohë këtu për të hyrë në analizën veç e veç të secilit shtet të Ballkanit që i bëri “konak” Mogherinit këto ditë në xhiron e saj.

Por ajo që bie dukshmërisht në sy është një keqkuptim fundamental: forca e zonjës italiane për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor në proces të integrimeve është e barabartë me zero! E tëra që italianja simpatike mund të bëjë është: raporte të gjata dhe shkurtëra, rekomandime dhe sugjerime.  Sepse janë (sidomos) Gjermania dhe Franca ato që japin vlerësime dhe sugjerime për shtetet e Ballkanit dhe vizatojnë rrugën e tyre drejt integrimit në BE.

Përkthyer në shqip i bie: gishti që Sigmar Gabriel, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë ia tregoi prej së largu këtij gomarit të Maqedonisë, Ivanovit do ta vrasë atë në dritë të syrit!  Apo nuk u pa paedukata e tij me të cilën iu përgjigj pas takimit në Shkup, italianes së pafuqishme?!

E njejta situatë vlen për Serbinë e cila nuk çan kokën aq për të sa për faktin që Vuçiqi po bën në “pantallona” se sa për të madhe do t’ia sheh Berlini për faktin që ky nuk po don të del edhe aq demokrat sa Merkel e Heußgen kishin kujtuar! Prandaj përqafimi i tij me Putinin për rrugën dhe karrigën e Presidentit. “Në djall me Berlinin!”, mendon Vuça këto ditë… “kryesorja të jem me vëllezërit rusë”!  As më mirë nuk duket me Bosnjen. Kur njeriu e dëgjon një idioti të Federica-s në mes të Sarajevës sesi Bosnja “ka bërë hapa signifikantë në procesin e saj të integrimit në BE”, atëherë s’ka si të mos fërkohen sytë dhe shtrohet pyetja… ku jeton kjo grua, kush e këshillon?!

Ndoshta i vetmi politikan në Ballkan që e ka marrë me humor vizitën e italianes ishte Edi i cili vazhdon të jetë në situatën Win-Win.  Sepse Edi din të lexojë. Pos me humor ai vizitën e saj edhe e shfrytëzoi me mend sepse ua msheli çadrat budallënjëve të Doktorit… Dhe me siguri Edi sa ka folur me të ka menduar në Berlinin. Nëse Merkel i fiton zgjedhjet ai vazhdon të jetë i preferuari i saj absolut nga Ballkani. Humbi Merkel, Edi sërish do të jetë i preferuari absolut nga Ballkani i Kancelarit të ri të mundshëm, Martin Schulz-it. Bashkë me Ilir Metën- Edi është i vetmi politikan shqiptar që nëse i len budallallëqet me ekspozita e art, dalngadalë nga fundi i këtij viti mund ta hap derën e negociatave për anëtarësim. Një lehtësim ky për shqiptarët tjerë të cilët nëse për asgjë atëherë së paku krej letrat për integrime do t’i kenë në shqip!

Dhe vijmë tek Kosova. Italianja në Kosovë dhe sidomos tek Ura mbi Ibër ishte ai imazhi i një dështimi kapital të Brukselit në procesin e dialogut dhe bashkimit të një qyteti të ndarë. Ai defilim i cili i ngjante një kitsch-i socrealist me domethënien: shyqyr jemi të sigurtë dhe s’po na fluturojnë plumba mbi kokë.

Dialogu që ajo e udhëheqë- pa Ashton, pa Gentilini, pa Heußgen… është një levë për Vuçiqin sa herë ky don  dhe Hashimin sa herë që këtij i nevojitet.

Premtimi i saj për liberalizimin e vizave ishte pokështu një prej atyre akulloreve që shkrihen në gojërat dhe gishtërinjtë e Hashimit e Isës që me buzëqeshje ua kumtonin njerëzve të rraskapitur të vendit të tyre- në eter a Facebook.  Premtimi i saj bile drodhi edhe njerëz që marrin vesh pak nga politika e zhvillimet europiane dhe proceset teknike të miratimit të procedurave në fjalë.

Kam mirëkuptim që Hashimin e Isën i bashkon kjo çështje sepse i pari don që për herë të parë në këto dhjetë vite të qeverisjes së tij të arrijë një sukses sinjifikant në dyzinën e dështimeve fatale dhe lëndimeve serioze që u ka bërë dhe bën proceseve të shtetndërtimit dhe Isës i cili kujton që nga pensionimi e shpëton demarkacioni… por nuk kam mirëkuptim për ato pak koka të kthjellëta të Prishtinës që harrojnë a hutohen dhe nuk e dijnë që Kosova kurrën e kurrës këtë vit s’do të merr liberalizim vizash. Me apo pa demarkacion.

Sepse ka zgjedhje në Francë e Gjermani. Sepse janë Minstrat e Brendshëm të BE-së ata që e kanë fjalën e fundit- pasi që këtë çështje ta kenë përmbyllur Parlamenti Europian dhe KE-ja. Dhe Ministrat e Brendshëm të BE-së s’e kanë as fijen më të vogël të disponimit të merren me Kosovën deri në dimrin e këtij viti.

Pa folur këtu për kushtin e dytë, atë luftimit të korrupsionit i cili do të kërkojë koka të shumë (ish)qeveritarëve.

Thënë shkurt, italianja, erdhi, shikoi, premtoi dhe shkoi…

Kurse në Ballkan mbetën të njejtat probleme me të njejtët kryeaktorë! Si dhe miliona ballkanasit të cilët vazhdojnë të jetojnë të zhytur në dëshpërimin që krimi e korrupsioni i politikanëve të tyre ua bën jetën kaq të vështirë. Më së keqti vazhdojnë të jenë shqiptarët e Kosovës të cilëve s’kam si të mos u them: mirë u bëhet! Vazhdoni t’i duroni prandaj edhe e paguani çmimin e të përçmuarve në shtetin më të korruptuar e kriminalizuar në Europë!