Tag Archives: Zbraztesi

29 Mars

Janë ca fytyra të cilat në jetë i sheh njëherë në jetë. I vëzhgon ashtu. Në bistro. Në sheshe. Në rrugë. Në dyqan. Dhe diçka të bën të mendosh që atë njeri e ke parë dikund. Mendon dhe mendon dhe mendon. Lëshon flatrat e fantazisë gjithandej dhe megjithatë vjen tek përfundimi që s’e ke parë askund. Që të duket të jetë ashtu por jo, s’e ke parë askund. Megjithatë këtu nuk merr fund e tëra. Po aty vazhdon të mendosh. Dhe hamendesh se çfarë mund të bëjë me profesion. Është një si dëshirë e tërthortë që të vazhdosh hamendjen. Ta demantosh vetveten (që megjithatë) s’e njeh? Dhe e sheh si një kontrollues biletash në trena? Shitës në ndonjë dyqan të madh? Menaxher në ndonjë firmë private? Udhëheqës të ndonjë firme të vogël? Luleshitës në sheshe? Apo thjesht një i papunë i cili s’din si ta kalojë kohën ndryshe, pos, si edhe ti, të gjindet në atë vend dhe atë çast kur i bën të gjitha ato hamendje për të.

Nuk shkon shumë kohë dhe e sheh sërish. Aty ku më së paku e ke menduar. Të themi në pikën e shitjes së biletave të trenit. Dhe aty e mendon edhe njëherë. Çastin kur e ke parë për herë të parë. Hamendjet. Dhe ndjehesh i lehtësuar që me siguri e kishe parë edhe herë tjera por nuk kishe mundur ta gjeje. Dhe në çast e mbyll atë temë.

Derisa sërish, pas ca muajsh e sheh dikund tjetër. Ashtu papritmas. Të ulur e familjen e tij në Tren i cili çon larg, aq larg sa s’kanë si të mos jenë pushimet për të dhe të afërmit e tij.

Ky takim i tretë është pothuajse ai i zakonshmi. Normali. Sepse e din që tashmë është pothuajse e zakonshme ta shohësh në një tren që shkon për Parisin e largët. Ai me familjen për pushim. Ti me çantën tënde dhe herë pasigurinë e herë zbraztësinë të cilat as 10001 fytyrat e rrëfimet e tyre s’e përmbushin dot.

Nganjëherë në këtë jetë është më mirë të kesh fiksime veç një fytyre sesa bollëk prej mijëra njerëzish. Sepse një, edhe kur s’e njeh apo s’të flet me atë heshtje flet shumë më shumë sesa mijëra tjerët.