Lexoj dikund për atë sesi ky vit është vërtetë më i vështiri. Sulme në prita, terror aty ku më së paku pritet, vdekje të të pafajshmëve.
Kontinenti i Europës më i plagosur se asnjëherë më parë në vitet e fundit. As për së afri thonë disa historianë, as për së afri me terrorin e viteve 70 dhe 80. Dhe nxjerrin nga sirtaret faktet: sulmet e fraksioneve të majta terroriste europiane si prodkukte të lëvizjeve të majta studentore të viteve 60. RAF-i në Gjermani, Brigadat e Kuqe në Itali, majtistët në Francë, Spanjë, Greqi… Të gjithë të përkrahur nga shërbimet sekrete të shteteve komuniste, nga arabët e Palestinës, Libanit etj. etj.
Edhe mund të qëndrojë kjo që e thonë historianët (bashkë me faktin që qytetarët e hemisferës perëndimore më të rrezikuar janë që të humbasin jetën në aksidente komunikacioni sesa nga sulmet terroriste) por është kjo koha që e jetojmë- shpejtësia në komunikim, lehtësia në paralajmërim dhe lajmi si kumt i keq, ai që shkakton frikën tek (sidomos) europiani nëse mundet të jetojë me lehtësinë e zakonshme që i thonë normalitet- në qendër tregtare, teatër, kinema, restorant, bistro, stacion treni, kishë dhe fare në fund prag dere… nëse mundet pra të jetojë edhe më tejë pa shikuar në të majtë apo në të djathtë nëse një kokëzi mund ta hedh veten në ajër dhe me vete ta merr edhe njeriun e pafajshëm…
Shihni drejt Izraelit- shkruan Dirk Schuemer …. Mos edhe ne në Europë duhet të armatosemi për të jetuar sa me frikën aq edhe me çmendurinë e të jetuarit me armë në brez?