Tag Archives: Publiku

20 Qershor

Nata është e shkurtër dhe nuk kam as edhe një dilemë që ka qenë një prej atyre netëve që shkojnë shpejt e shpejt dhe, edhepse fillimjave , përkundër lodhjes së madhe, e din që ka ngjarë diçka e mirë, diçka e madhe, diçka që, sërish dhe edhe njëherë, nuk do të ngjajë më kurrë.

Edhe ashtu ne, dhe kur them ne, mendoj në brezat e humbur në katër shtete (Shtetet e Titos, Milosheviqit, UNMIK-ut dhe tash në këtë të Republikës së  Hashimit), kemi përjetuar më shumë sesa që shëndeti i një njeriu normal mund ta durojë: ideologjinë (komuniste), robërinë (raciste), luftën për liri (me UÇK e NATO), lirinë me krejt dëshpërimet e gadi një dekade (1999-2008) dhe Pavarësinë e kësaj Republike…

Por që do të vie dita që flamuri shqiptar do të valojë në tërë kontinentin dhe vet shqiptarët do të jenë simpatikët e senzacionalistët që bëjnë një det me flamuj në Lyon të Francës kur 23 djelmosha shqiptarë fitojnë zemrat e publikut në Stadium dhe Planetit para Televizorit… që kjo të ngjajë me 20 Qershorin e vitit 2016, këtë gjë s’e kisha besuar as pritur.

Për djemtë e Kombëtares por edhe ata të Kombëtares Zvicerane tashmë them të kem shkruar dy a tre fjalë para se Europiani të fillonte.

Ajo që disi po harrohet është vet Publiku Shqiptar. Shqiptarët e Mrekullueshëm që jetojnë e punojnë në krejt Kontinentin e Europës dhe fundjavën e kaluar Lyonit i dhanë atë veshje aq të bukur, aq të re dhe aq të papërsëritshme. Shqiptare shqiptarë, europianë të mrekullueshëm të Sllovenisë, Austrisë, Gjermanisë, Zvicrës, Francës, Skandinavisë, Italisë, Spanjës, Britanisë së Madhe, Greqisë, por edhe Amerikës së largët të cilët siç edhe mediat europiane- nga The Guardian përmes Spiegel e deri tek Bild a The Sun, e përsërisin pa pushim: Shqipëria ka publikun dhe me këtë edhe zemrën më të madhe në këtë Europian.

Pa harruar ata gadi 20.000 shqiptarë që dje, për të folur me gjuhë portalesh, “pushtuan” Lyon-in, janë edhe mijëra e mijëra tjerë (1 Milionë?), që në qytete e qyteza, fshatra e lagje të krejt Europës në orët e vona të së dielës me sirenat e makinave e Flamurin me Shqiponjën DyKrenare bënin ritin e krejt europianëve: festonin kombin dhe prejardhjen e tyre.

Janë pra këta qytetarë europianë- të gjithë shqiptarë  me prejardhje nga Ballkani dhe krejt Shqipëritë e atjeshme që Kombëtares në njërën anë dhe Europianit në anën tjetër i dhanë ngjyrimin e festës së papërsëritshme. Përjetimit të parë. Si një dritë lirie. Si një hyrje e logjikshme, e vetkuptueshme- prandaj edhe aq fascinuese në Europën e cila duket që kishte pritur gjatë ta kuptonte që janë shqiptarët e Europës ata që, deshën e s’deshën elitat e korruptuara e kriminale politike po shqiptare në Ballkan, tashmë kanë bërë vend në familjen e popujve të civilizuar të Europës.

Dita e parë e datës 20 Shkurt është dita e parë e mbërritjes së shqiptarëve të hareshëm dhe fytyrndritur në Europë!

Edhe një mrekulli e cila zor që përshkruhet me shkronja por lehtësisht ngulitet në shpirtërat e të gjithë shqiptarëve të kësaj bote.

Dhe atyre u shkon falenderimi i madh. Sepse, edhe njëherë, si gjithmonë diaspora kreu detyrën e saj: prezantoi dhe ndihmoi atdheun.