Lexoj shpejt: Kadare në Kosovë. Saktësisht në Pejë. Merr një çmim, shpallet qytetar nderi, rrethohet dhe sa shoh nga fotografitë admirohet nga lexuesit.
Të gjithë flasin për lidhjen e tij me Azem Shkrelin. S’e gjej në ato vështrime të shkurtëra dhe foto të mangëta askund. Pjesën për Ismailin e Azemin. Udhëtimin e tyre në Prishtinë e mëpas Pejë e Rugovë… E kam fjalën për librin e Helenës “Kohë e pamjaftueshme” për Ismailin…
Që Ismaili e njeh Kosovën mirë dhe e din kush është kush atje flet edhe ky detaj: pranon ftesën për Azemin sepse edhe e ka patur mik edhe e ka respektuar. Dhe para së gjithash e ka ditur rolin e Azemit në e për kulturën e Kosovës. Pejanët duhet përgëzuar për këtë ftesë…
Vazhdoj të mbetem me misterin për Prishtinën, politikanët e Prishtinës… s’ka dashur Ismaili t’i takojë apo s’kanë patur kohë ata ta takojnë. Them të jenë të dyjat ngapak.
Më shumë është e para. Sepse do të vraponin edhe ata pas ambasadorit amerikan në Pejë për ca foto me Kadarenë të cilat vazhdojnë t’u mungojnë: dëshpërimisht.