Mëngjes
Nata ishte e shkurtër dhe dita do të jetë e gjatë.
Katër ditë brenda- përjashto shëtitë në lagje dhe mal, disa kafe me miq në fundjavë, katër ditë brenda janë një bekim që njeriut i ngjajnë brenda shtëpisë…
Sepse e di qysh tashti që asgjë- gjatë tërë kësaj dite nuk do të ngjajë jashta asaj që tashmë e kam parë dhe përjetuar qe pothuajse një vit.
Pa ndalur.
E shumta që mundet të ngjajë- ndonjë vonesë treni, ndonjë figurë/pamje/skenë/fenomen që tashmë e kam parë dikund e disi në këtë jetë apo ëndërr.
Me këtë qartësi të paqarët marr rrugën për të parë se çfarë do të ngjajë. Në këtë 2 Shkurt të vitit 2016.
Mbrëmje e vonë
Ajo ndjenja kur trupi nuk qëndron dot ulur as shtrirë. Lodha fizike ngjet kur truri harxhon shumë…. Imazhe, fjalë, fjalë, fjalë… që i merr i ftohti i këtij dimri ende kaq i butë.
Para se të filloj ta lexoj dua të shoh se çfarë shkruajnë kritikët për romanin e ri të Ohran Pamuk-ut. Është ajo tradita që shkrimtarët e suksesshëm / sidomos nobelistët, marrin reçensione as mish e as peshk… Diçka mes lavdateve dhe një milion pyetjeve- ke ti nevojë për lavdata kur edhe ashtu ke epoletat e arta letrare. Që nënkupohet paksa edhe xhirokonto…