Tag Archives: Libri

Dita e gjashtë

Richard nuk më lëshon. Edhepse libri nuk ka më shumë se 250 faqe (bile kur më kishte shkruar për të më pyetur nëse e kam marrë ende… e kishte quajtur “libërz”) vazhdoj të mendoj në të. Rreziku i asaj thënies që të lexosh vetëm një libër nuk është edhe puna më e mençur që njeriu mund të bëjë?

Ende nuk kam arritur të lexoj më shumë se 100 faqe.

Posa kam përfunduar “Gjakun”.  Rrëfime rrënqethëse për prindërit e gruas së tij. Vjehrrin dhe vjehrrën. Partizanë e komunistë të përbetuar të cilët pos që besonin në Titon dhe jugosllavizmin në të të njejtën kohë dhe kishin qenë të vetëdijshëm që Partia nuk ishte mbi jetën e tyre. Ajo që impresionon më së shumti: thellësia me të cilën Richard përmes përshkrimit të prindërve të gruas së tij, nuk len detaj historik të kohës së Marshallit që s’e prek. E thellë: mënyra sesi e përshkruan Titon. Dhe insistimi i tij që Titon në fakt askush s’e ka njohur. Dhe askush s’e din se kush ishte ai  njeri.

Dashuria e tij e pakursyer për prindërit e Slavenkas s’ia humbet aspak shikimin e tij të mprehtë për historinë sa tragjike aq edhe komike të kohës së Titos.

Për gruan e tij, Slavenkën, poashtu shkruan. Me një lakmi të pashoqe.

23 Qershor

K. G. thërret dhe kërkon “prova teksti”. Më pyet nëse jam gadi me librin.

I them që javën që vjen do të “dëgjojë” diçka nga unë.

Nuk  është që e gënjej.

Por nuk është që jam edhe aq i sigurtë që vërtetë “do të dëgjojë” diçka… nga libri.