Koha për pak punë: në kopsht.
Koha për një fotografi: nga kopshti.
(Koha për t’u kthyer tek vetvetja…)
Është e shtunë dhe e shtuna është ditë livadhi.
Paradite: kositje bari.
Pasdite: kositje bari.
E shtuna i takon kopshtit.
Dhe kopshti ka filluar ta bëjë jetën e vet.
Jetë me gjelbërim.
Jetë me lule.
Jetë me vrull.
Si njeriu… i cili për dallim nga kopshti, nuk e din se kur e ka stinën e vrullit të beharit.
Punë në kopsht.
Kopshti është si jeta.
Kur është plot lule e pemë të egra që duhet prerë, shartuar, pastruar. Dhe ka punë… aq shumë punë saqë s’ke kohë as të mendosh shumë gjatë. Një mëdyshje mbetet ndonjë egërsirë. Një nguti dhe s’ka më kthim prapa.
Kopshti është jeta.
Të punosh në kopsht dmth. të vrasësh diçka.
Prerja barit, heqja e bimëve të egra, qërimi i çdo gjëje që s’i shkon syrit apo pengon këmbës dmth. lirim për estetikën dhe pastrim nga egërsia e pafundme që mund të shkaktojë kaosi që mund të shkaktohet nga minixhungla prej bimëve që rriten.
Edhe gjatë kësaj vrasjeje duhet mund. Dhe para së gjithash djersë… djersë të mëdha.