Tag Archives: Hashim Thaçi

15/05

Mesi muajit.

Dita e parë e javës.

E hënë.

Me punë edhe për të papunët.

Kosova në Parafushatë zgjedhore.

Cirku që tashmë e kemi parë e përjetuar edhe para 3 vitesh, edhe para 6 vitesh, edhe para 9 vitesh… edhe para 18 vitesh.

Cirku që këso radhe për herë të parë në historinë e Kosovës ka një risi: Hashimi nuk është në këtë lojë.

Ka mbetur vetëm hija e Hashimit…

 

26/04

Përfytyrojeni këtë situatë fiktive: disa vite pas Luftës së Dytë Botërore, burra si Konrad Adenauer-i, Winston Churchill-i, Jean Monnet,  Robert Schuman-i, të gjithë të njohur sot si themeluesit dhe baballarët e Evropës së pasluftës, t’i ushqenin asokohe popujt e tyre me reminishencat e moçme.

Me fjalë të tjera, Konrad Adenauer ta akuzonte Robert Schumann-in se po ëndërron për Francën e madhe. Ose Schumanni ta denonconte Adenauerin se ka nxjerrë nga sirtarët planet naziste për jetësimin e historisë! A do të bëhej Europa një Bashkim? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje do të ishte mësimi më i mirë për politikanët e sotëm nga Ballkani.

Edi Rama, Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, Aleksandar Vučić, Ivica Dačić, Milorad Dodik, Izetbegović, Georgievski, Zaev, Ivanov… a do të jenë këta politikanët, për të cilët fëmijët e fëmijëve tanë do të mësojnë një ditë në shkolla si për baballarët, që arritën ta bëjnë Ballkanin Skandinavinë apo Baltikun e Evropës Jugperëndimore?

Mençuria kundër urrejtjes

Jo! E them këtë sepse po të lexosh biografitë e liderëve të parë të Unionit dhe ato të politikanëve të sotëm ballkanas, del qartë që një Adenauer apo Schumman kishin vuajtur aq në luftëra, sa arritën ta kuptojnë mençurinë se sa të pakuptimta janë edhe urrejtja edhe konflikti. Burrat nga Ballkani, ende të rinj në moshë, është e pamundur të kenë provuar atë që kanë përjetuar qytetarët e vendeve të cilave u prijnë.

Sidomos njëri prej tyre s’ka të bëjë me luftëra. Shqiptari Edi Rama. Rama është mbase i vetmi politikan nga ky gadishull, i cili qoftë me të kaluarën e tij prej artisti e publicisti, ashtu edhe mënyrën e ardhjes në pushtet, nuk përdori instrumente nacionaliste. Prandaj ai është mysafir i mirëseardhur në Berlin e Bruksel. Rama, artisti, basketbollisti, politikani. Pa bagazhin e së kaluarës, labirinteve të deklaratave luftënxitëse a nacionaliste, pa urrejtje për popuj të tjerë.

Por ja që edhe Rama, prejse është bërë kryeministër, kohë pas kohe dhe sidomos kur brenda në Shqipëri e ka punën pisk me opozitën, apo kur nga Evropa i vijnë vërejtje për fshatrat Kanabisi, pikërisht ky, katapulton me deklarata që çojnë pluhur.

Nga debatet për ndeshje futbolli Shqipëri-Serbi, përmes kacafytjeve publike me Vuçiqin për Kosovën dhe deri tek deklarata e tij fundit po për Shqipërinë e madhe, rrëshqitje të cilat duket që nuk janë të rastësishme, Rama del që në këto katër vite të të qenit në pushtet, u bë pjesë e politikanëve ndaj të cilëve ndjente vetëm pështirosje, sa ishte artist dhe publicist. Dhe i përqeshte!

Po pse e bën Rama një gjë të tillë, përtej shpjegimit pllakativ se do t’u ikë problemeve të brendshme? Sepse shuma e problemeve, duke filluar nga kundërshtarët e brendshëm (partneri Meta) apo të jashtëm (opozitari Berisha), duke vazhduar me korrupsionin,  kriminalitetin, ekomominë gri, kanabisin, papunësinë, zhduket brenda pak çastesh  me shkopin magjik të retorikës nacionaliste! Këtë gjë e ka mësuar nga kolegët dhe fqinjët e tij.  Sot rrihen Thaçi e Vuçiçi. Nesër shahen Gruevski e Ahmeti. Pasnesër Izetbegoviçi fyhet nga Dodik. Të gjithë njëkohësisht dhe pa ndalur.

Dhe tani dua të marr një shembull që Edi Rama jo rrallë këto mendime i ka patur edhe si sulme për t’u mbrojtur. P.sh. deklarata e tij e fundit për „Shqipërinë e madhe“ vjen pikërisht pasi iu hodh në shportë, publikisht dhe demonstrativisht nga bashkëkombasit e tij në Prishtinë, në Republikën e Kosovës, propozimi i tij për themelimin e Bashkimit Tregtar Ballkanik. Publicistët e akuzonin për tradhëti kombëtare. Qeveria e Kosovës deklaroi që ideja është kundër interesave shqiptare – nga frika e fuqisë tregtare serbe.

Edhe ekspertët më të parëndësishëm të BE-së, “on record” dhe “off record” e denoncojnë Ramën për “Shqipërinë e Madhe“. Ajo që dua të them: vazhdoj të besoj shumë më shumë në deklaratat e Ramës së frustruar (Shqipëria e madhe), Ramës pragmatik (Bashkimi Tregtar Ballkanik), Ramës së dëshpëruar (me krizën dhe krizat në Tiranë), sesa që dua t’u besoj vizioneve apo premtimeve, dëshirave apo planeve të Vuçiqit, Thaçit, Ivanovit, Dodikut… Sepse është e kaluara e tyre me plot njolla, ajo që duhet të na bëjë të shohim me shumë dyshim çdo gjë që bëjnë apo flasin këta politikanë.

Luhatjet e Ramës mes retorikës nacionalishte dhe vizioneve për një Ballkan europian janë dridhje, të cilave çdo qenie njerëzore e ka zor t’u dalë përballë. Tek e fundit, të jesh artist dhe pastaj të bëhesh politikan, shtoi kësaj edhe politikan shqiptar – kjo po që nxit edhe fantazi, por edhe xhelozi. Ramës i duhet mbështetje sepse s’e ka të lehtë. Herë i duhet të jetë mirë me serbët, por shumë më shumë i duhen shqiptarët. Dhe krejt këto nën mbikqyrjen e Brukselit.

Europa edhe kështu vazhdon të jetë larg Ballkanit! Sepse stërpinët politikë të Adenauerit e Schumann-it thjesht s’duan ta kuptojnë që shfaqjet politike si Edi Rama sot, apo Zoran Đinđić dje, paraqesin kërcënim për Ballkanin. Që ky të bëhet pjesë normale e Europës që ata themeluan!

 

13/02

1.

Nuk ka ditë më të keqe në jetën e një njeriu sesa kur e nis një punë dhe në kalendar është e shkruar data 13. Qoftë e premte apo jo data 13 është… datë e ditë e keqe.

Është ky mendimi i parë që më shkon ndërmend kur shoh Hashimin sesi i ka mbledhur të gjithë në Tavolinën e tij: parinë e LDK-së e PDK-së, ambasadorët e vendeve perëndimore, aparatçikë shteti dhe para së gjithash mediat… Shumica prej të cilave të dëgjueshme a injorante por edhe asosh që derisa e mbante mbledhjen… ia thyen dhëmbët dhe ia thanë që e ka zor, e ka bile të pamundshme të formojë një Komision për të Vërtetën dhe Pajtimin: bazuar në modele të ndryshme botërore.

Në këtë iniciativë të tij ka cinizëm dhe perveristet. Më i madhi është në fjalinë e tij të postuar në FB kur thotë:

“Pajtimi i parë dhe më i shpejt shqiptaro-serb ka ndodhur mes familjarëve të të pagjeturve, të cilët janë bërë bashkë në dhimbje dhe e kanë njohur njëri-tjetrin përmes dhimbjeve të tyre.”

Është cinike të thuhet që familjarët e të pagjeturve janë “bërë bashkë” dhe kanë njohur “njëri-tjetrin” përmes “dhimbjeve” të tyre.

Kjo edhe mund të jetë e vërtetë. Por vetëm gjysma e saj- dhe këtu fillon perversiteti politik- sepse Hashimi me këtë rast bën atë që Serbia gjithmonë ka dashur ta bëjë: shëndërrimin e luftës për liri të shqiptarëve në një luftë agresorësh (shqiptarë) ndaj Serbisë (me Kosovën në të) dhe serbëve.

Fakti i parë: Hashimi nuk e thotë numrin e të pagjeturve (t’u themi shqip: zhdukurve, vrarëve) shqiptarë me ata serbë.  Janë dhjetë herë shqiptarë më shumë të pagjetur se serbë.

Fakti i dytë: si ka mundur dhe si mundet Hashimi të flasë për të pagjeturit shqiptarë dhe ata serbë barazi kur dihet që të parët dihet se ku janë. E din shteti serb se në cilët frigoriferë kamionët, nën cilat asfalte dhe oborre i ka masakruar dhe varrosur. Serbia është me trupa shqiptarësh dhe për këtë as Hashimi e as argatët e tij duke nisur nga Edita e deri tek Isa kurrë nuk e morën guximin ta sqarojnë në Dialogun me Daçiqin e Vuçiqin të cilët e kanë të shkruar në raporte të detajuara të UDB-ave serbe se ku janë.

Fakti i tretë: zhdukja e serbëve të Kosovës po që është tragjike dhe për këtë shqiptarëve edhe do t’ju gjykohet në Gjykatën Speciale në Hagë!  Serbëve jo. Shqiptarëve do t’u gjykohet dyfish: në Hagë në kuadër të ICTY dhe tash me Specialen…. Serbët e kanë mbyllur kapitullin e tyre (juridik) me Kosovën!

Këtu duhet të ndalem.

2.

Para syve më dalin sfilatat e Presidentit Hashim, nëpër vendbanimet me serbë: ish çetnikë tash me shtetësi të Serbisë dhe Kosovës të cilët në vitet 1998/9 masakronin shqiptarët, u dhunonin gratë e motrat, me bajoneta ua thernin fëmijët në djepa. Këta, pikërisht këta serbë i vizitonte Hashimi: presidenti i të gjithë “qytetarëve” të Kosovës.

Pyetja që me këtë rast shtrohet është kjo: kënd don Hashimi ta angazhojë në këtë Komision? Akademikët? Ata i ka zënë nëpër malet e Grykës së Rugovës … duke “matur” territore për Demarkacionin. Ose nëpër mejhanet e tyre duke shitur a blerë ndonjë titull, apo recension Facebook-u.  Apo ndoshta don t’i merr pjestarët e “shoqërisë civile”?   Edhe këta i ka të shpërndarë gjithandej para Ambasadave duke aplikuar për viza për ndonjë udhëtim në Europë.  Opozitën? Cilën opozitë. Ramushin e ka (ndalur?) në Francë dhe derisa nga hotelet e rrugët e Straßburg-ut Ramushit i duhet të kacafytet me makinerinë propagandistike të sozive të Milosheviqit dhe të bëjë luftë virtuale me Ivica Daçiqin, nëse jo vet Hashimi, atëherë së paku, Enveri, Enver Hoxhaj, a nuk do të ishte e rendit që nga pozita e tij t’ia cicërojë nja dy fjalë homologut Daçiqit?! Nuk i reagon Enveri Daçiqit… sepse ia pret gishtat Hashimi!

Përgjigja në pyetjen e sipërpërmendur se pse Hashimi po don Komision… për të Vërtetën e Pajtimin është e thjeshtë: Hashimi është në zor. Hashimi nuk e din ende a është në listën e të Akuzuarve në Gjykatën Speciale për krime të luftës në Kosovë. Hetimet që janë zhvilluar dhe ende po zhvillohen kundër tij do të mbyllen këto ditë dhe rezultati i tyre do të dihet në fund të këtij muaji. Prandaj: për çdo eventualitet, Hashimi don të sigurojë për imazhin e tij si i pari i Kosovës. U arrestua apo jo: në Hagë do të shkojnë edhe plot njerëz të tij të cilët atje pastaj do të shërbehen edhe me këto makiazhe Komisionesh… që ky tash i ka nisur.

Fare për fund një fakt që Hashimi nuk e din, ose edhe e din por nuk mundet as të ballafaqohet me të.

Aq shumë e ka kapërthurur këtë historinë e Kosovës prej kohës së qëndrimit në Tiranë (Ali Uka!…), daljes së tij të parë publike në cilësinë e shefit të UÇK-së përmes pasluftës e deri në ditët e sotme- që i bie se janë 18 vjet prani permanente të tij në çdo zhvillim, saqë kësaj Kosovës së sotme, kështu siç është rraspkapitur dhe rrëgjuar nuk i duhet kurrfarë Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin!

Është vet Hashimi ai që i duhet një Komision për të Vërtetën e Pajtimin e Hashimit me Hashimin!

Me 13 Shkurt të vitit 2017.

 

 

07/01

Kosova e lodhur dhe mbërthyer nga krimi e korrupsioni, dimri i egër dhe pashpresa për një vit më të mirë se ku shkoi vazhdon ta ketë vetëm një parashije të asaj se çfarë në javët dhe muajt që vijnë do ta presë: pashpresë deri në pafundësi.

Kosova e izoluar duhet të pajtohet me faktin që me të këtë vit s’do të merret askush. As Amerika e cila do ka tjera halle e aq më pak Europa e cila po provon ta gjejë veten. Më së shumti me Prishtinën do të merren gjykatës, prokurorë, policë të cilët nga Shkurti i këtij viti do ta dridhin Prishtinën me Aktakuzat e para kundër (ish)Komandantëve të UÇK-së .

E rëndë?  Jo.

E tmerrshme. Sepse një populli do t’i shkruhet njollë në histori.

Edhepse për më shumë se një shekull ky komb luftoi për Pavarësi, para 104 vitesh padrejtësisht u nda nga “trungu” i tokave shqiptare dhe tashti njerëz të këtij nënqielli duhet të shfaqen para një Gjyqi ndërkombëtar për krime lufte në një lutfë lirie!

Këtë Gjyq, të cilin Edi e mallkonte aq shumë, Kosova nuk ia ka patur as s’ua ka borxh ndërkombëtarëve e as luftëtarëve.

Ky gjyq është peshqeshi që Hashimi i ka bërë Kosovës.

Tekefundit për diçka duhet të mbahet mend edhe ky!

 

06/01

Lexoj poshtë e lartë për Ramushin.

Të gjithë pa dallim partie e Qeverie, edhe ata që e duan edhe ata që s’e durojnë vet Rambon- unisono- janë të mendimit që është gabim, lëshim, budallëllëk, marrëzi, poshtërsi, idioti e çka jo tjetër ajo që francezët kanë bërë.

Pastaj vijojnë kritikat: për Serbinë dhe serbët, ndërkombëtarët dhe Brukselin e dialogun, pak Qeverinë dhe fare në fund, mbyllin tekstet.  Vetëtimthi më shkrepin dy a tre gjëra në mendje: si u bë që pas arrestimit që ia bënë sllovenët- Hashimi, Isa, Edita & co. s’e denjuan ta hapin këtë temë me atë gruan e Italisë në Bruksel? S’e denjuan sepse s’i kanë hapur temat e varreve të më shumë se 1000 shqiptarëve të zhdukur e lëre më të fletarresteve të cilat, vazhdoj të mendoj, janë punë kompjuterësh… Vetëtimthi më shkon në mend pokështu: bile për një gjë bujtina që Colmar i Elsass-it të Francës iu bë Ramushit ia ndali Toma Nikoliqit të kalonte “Badnje veče” në Kosovë!   Se, poqese nuk do të ndalej i pari në Francë i dyti, si të gjithë të tjerët, jo vetëm që do të vinte në Kosovë për ta kaluar natën por të nesërmen me fytyrë të enjtur prej Šljivovice, do t’ua kishte çuar do selame edhe serbëve në Beograd dhe sidomos shqiptarëve në Kosovë.

Një risi në tërë këtë tam-tam publicistik është që duket një angazhim i pazakonshëm (lexo: jashtëzakonshëm) i Tiranës me arrestimin e Ramushit. Aq sa e tëra filloi të merr përmasa bizariteti partiak (Luli versus Edi).

Por ajo që trishton me Tiranën politike e publicstike është që ende s’po e gjejnë ta zërojnë atë që qoftë në zyra ashtu edhe kafene ia thonë njëri- tjetrit: si është e mundur që Kosovën e shkallmuar përtoke vazhdon që ta sjell në gisht Hashimi. Me paaftësinë dhe djallëzinë së cilës ditë e natë tash 17 vjet ia ndjejnë pasojat 2 milion të burgosurit e tij. Dihet se në Shqipëri e kanë zor, e kanë të pamundshme- ta deshifrojnë artin e tij të mbajtjes së pushtetit- sepse ia njohin “limitet” dhe limitet- kur u shkruan (mesazhe), kur lexon (fjalime), kur bashkëbisedon (privatisht) .   Ndjenja e tyre për Hashimin është e dyzuar sepse e kalon dinakërinë e një Nano-je, pabesinë e një Mete, çmendurinë e një Doktori, delirin e një Edi.  Ajo që ndoshta s’e dijnë për Hashimin është që ky ka prej të gjitha këtyre ngapak por më vete e ka edhe dellin e politikbërjes bizante,  sllave.  Prandaj Hashimi e ka Serbinë në lojë. Pa  serbët në lojë, Hashimi do të kishte shkuar kaherë prej skenës së Prishtinës. Përmes kartës serbe ai ka siguruar krejt mbijetesën (me ndërkombëtarët) të cilët psh. Edi i shante aq keq në editorialin e tij. Por ajo që edhe Edi e din që ndërkombëtarët, përfshirë edhe Gjykatën Speciale, janë Hashimi. Dhe nuk janë Ramushi.

Këtij bile- pas shkëputjes prej 8 vitesh i janë dashur nja 3 vite të mira derisa ka “mbërritur” në Tiranën e re politike e publicistike. Prandaj Tirana e përjeton, ndjen, pranon Ramushin më ndryshe se Hashimin.

Dhe kjo këtë të fundit e çmend.

Dhe gëzon që Ramushi këto netë po i kalon në Elass. Dhe më së shumti frikëson. Sepse këso radhe s’do ta ketë shansin e shtruarjes së tepihut të kuq…

 

05/01

Asgjë nuk është e rastësishme në këtë botë, në këtë jetë.  Më së paku në ditët e netët e sotme. Ditë e netë kur brenda ca sekondash, me ndihmën e kompjuterit, telefonit, internetit mund ta lexosh a shohësh historinë e planetit, oqeaneve, kontinenteve, shteteve, kombeve, luftërave, heronjve. Vetëm ca sekonda dhe mund të shohësh kush është kush. Prandaj tema nuk është më se kush ke qenë por vetëm ku do të dalësh. Dhe sidomos nëse ka algortima (edhe politike) për atë që të pret.

Ja psh. Amerika.  Tërë debati në Washington e New York pas fitores së Trumpit nuk është nëse dhe si Hillary gaboi por kur dhe si rusët arritën të futen në kompjuterët e superfuqisë që i thonë Amerikë.

Këtë gjë e mendoj derisa lexoj për dje ndalimin dhe sot paraburgosjen e Ramushit në EuroAirport Basel Mulhouse Freiburg. Dhe pyes veten: ka diçka që për Ramushin nuk gjen në internet?  Nuk ka.  Çdo gjë: nga të këqiat që zor se njeriu mund t’i paramendojë me logjikë të shëndoshë njerëzore e deri tek glorifikemet që s’i shkojnë as kohës e vendit as atij. Dhe pyetja tashti nuk është pra të kërkohet e kaluara e tij. Përfshirë edhe ajo e Tribunalit të Hagës.

Dilema duhet të jetë: cili kompjuter i cilit shtet a shërbim (superfuqi?) vendosi që ta fuste në përdorim të shkurtër këtë “ndalim” të tij.  Kësaj pyetje nuk mund t’i përgjigjem. As unë, as ti… as askush.

Patjetër që pasojat e kësaj ndalese do të dihen shpejt.  Krejt tjerat janë histori.  Dhe para së gjithash ironi.

Ironi së cilës kompjuteri zor që i ndihmon. Ngase algoritmet s’janë inteligjente. Përkundrazi: vrasin me akullësinë e përllogaritjes si ajri i këtij dimri fillimjanari.

Tekefundit është historia e konflikteve dhe luftërave ajo që na mëson: sa herë që dy perandori, kombe, të vogla e mëdha, të rëndësishme a parëndësishme, nëpër dekada e shekuj kanë ulur heshtat dhe i janë kthyer paqes e pastaj edhe bisedimeve, para se të bëjnë çdo gjë tjetër menjëherë kanë përmbyllur dy tema: çështjen e të pagjeturve dhe çështjen e të burgosurve.

Shqiptarët (e Kosovës) me Serbinë jo.

As që i kanë hapur (siç duhet këto dy tema) e lëre më që i kanë përmbyllur.

Pse? Sepse i kanë hyrë në punë Hashimit me kompani poaq sa Serbisë e cila e ka zor t’i tregojë krimet që i ka bërë ndaj shqiptarëve. Prandaj Serbia ia kthen Hashimit: e redukton krejt konfliktin e Kosovës në krimet që shqiptarët kanë bërë ndaj serbëve por edhe shqiptarëve. Dhe pastaj çudia që vjen tek llogaria që quhet: Gjykatë Speciale. Për të cilën Hashimi thotë që u bë sepse u vranë dëshmitarët.  Cilët dëshmitarë se? Dick Marty?

Kosova është keq. Aq keq sa këtij nënqielli në këtë terr politik, ekonomik, kulturor, psikologjik, shpirtëror e fizik i mbetet vetëm një ngushëllim: nuk e dijnë shumica e qytetarëve të atij vendi sa keq është sepse përndryshe qysh sonte do të ishin arratisur masovikisht. Burg për burg them se më mirë do ta kishin në Burgun e Ramushit sesa  në burgun që ua ka ngritur Hashimi me kompani.

Athua ta dijnë kompjuterët (e superfuqisë) këtë gjë?

13 Nëntor

1.

Martini. Martin Shkreli është shqiptari (?) i vetëm që e njoh (“njeriu më i urryer në internet”) dhe i cili ka arritur dy fitore: e mundi Hillary Clintonin e cila e pat bërë potere kur ky e rriti çmimin e medikamentit të Aids-it dhe ishte i vetmi shqiptar nga shqiptarët e njohur i cili prej ditës së parë dhe deri tek e fundit përkrahu Donald Trump në fushatën e tij zgjedhore.

Martini duhet të ndjehet fitues edhe kur New York Times i kushton një tekst të tërë dhe i njofton lexuesit: shqiptaro-amerikani apo amerikano-shqiptari i njohur don ta festojë në mënyrën e tij krejt të posaçme fitoren e Trumpit.

Dhe me datën 9 Nëntor i pyet lexuesit e tij:

E mban premtimin dhe e dridhë me një dhe të vetmën këngë margaritar të Wu-Tang Clan! 

2.

Edi.  Edi Rama, politikani artist a artisti politikan  i cili duket që aq është i preokupuar me artin e tij saqë edhe “Timing”-un e ekspozitës së tij në Marian Goodman Gallery në New York e kishte datosur pasi që Hillary të kishte fituar zgjedhjet, jo vetëm që e huqi keq por në fakt ai e dëmtoi Shqipërinë dhe i dëmtoi shqiptarët si asnjë lider i tyre më parë në historinë e tranzicionit qe 26 vjet.  Budallallëku i Edit nuk konsiston vetëm në ato që kishte thënë për Trump tek Richard Quest në CNN.  Gomarllëku i Edit nuk konsiston në atë që ngado që po shkon promovon “Kurbanin” apo vizatimet e tij- “Kurbanin” në gjuhë të vogla dhe gjuhë të fqinjëve- si në Rumani a Serbi, e vizatimet në sallone të mëdha të kryeqyteteve hijerënda sepse gjuhët e mëdha s’i honepsin edhe aq gjuhët e vogla… Dhe para së gjithash perversiteti i Edit, Ed do-të-doja-artistit e Ed do-të-doja-publicistit,  është fakti që ai ka harruar se Amerika është e madhe, tepër e madhe për shqiptarët kaq të vegjël të cilët ende dirigjohen në “debatet” e klaneve “kosovare” e “shqiptare”… Përfshirë këtu edhe mundin e madh, tepër të madh të Lobit e diasporës shqiptare në Amerikë, mund ky të cilin nga Amerika a ndonjë aeroport i kësaj bote e nis dhe sos’ me këtë shënim i cili për Edin shënon fillimin e mbarimin e botës së tij:

….”Diaspora shqiptare në SHBA ka qenë kurdoherë e gatshme të ndihmojë vazhdimësinë e sovranitetit dhe pacenueshmërinë e integritetit të Shqipërisë, pa më të voglin paragjykim ideologjik….Diaspora dha një mbështetje morale dhe materiale të pamohueshme ndaj Luftës Nacional-Çlirimtare dhe ndaj fitores së Aleatëve, për të cilën duhet të kemi një krenari të përligjur…”!

Jo Ed. Ti je ai që Përligj këto marrëdhënie nëse kujton që CIA apo Home Security po merret me deshifrimin e asociacioneve tua për “fashizmin” dhe “luftat nacional çlirimtare”. Çohu nga gjumi dhe shih: jemi në vitin 2016 dhe jemi në Trumpworld! Nëse me atë fotografen tënde doni ta luftoni- rrini në New York e barrikadohuni!

Ah po: jam kurioz se çfarë Edi Rama do të merr me vete në Berlin. Libra vetëm në shqip nëse i ka se edhe gjermanishtja është gjuhë që e gëlltit këtë shqipen e vogël.

Dhe ajo që qysh tash e di është: Edi me vete nga Berlini dhe Kancelarja do t’i merr nja GJASHTË a SHTATË PIKA/DETYRA SHTËPIE të cilat pikërisht si një botë mikut të tij Aleksandrit (Vuçiqit) do t’ia përmbysin botën e artit në mënyrë që të fillojë ta luftojë botën e krimit që e rrethon kudo në Tiranën e tij. Nëse do t’ua fsheh shqiptarëve ato detyra shtëpie që Merkel do t’ia japë? Nuk kam ide. Dhe as që më intereson.

Ashtu siç nuk më intereson puna e Hashimit.

3.

Hashim Thaçit. Sa e sa miqë, gjermanë, shqiptarë për vite më kanë thënë që dikur Kryeministri e tash Presidenti u Kosovës e ka dhuruar krejt Kosovën në Amerikë.  Dmth. jo Kosovën si çështje por Kosovën në kuptimin e tregtisë e tenderëve. Dhe tash, zgjedhja e Trumpit do ta bëjë të qartë një gjë: Hashimi e kishte investuar krejt Kosovën tek Demokratët e Amerikës dhe aspak tek Republikanët. Dhe kjo i bie që këso radhe edhe vet Vlora do ta ketë të vështirë, për të mos thënë të pamundur të kap ciflat e vazove të miqësive që psh. Ibrahim Rugova kishte ngritur me Republikanë e Demokratë. Bipartizanizmi i Rugovës me së pari Lobin shqiptar atje e pastaj edhe Kongresin e Senatin duket që historianit që quhet Hashim Thaçi ia kanë bërë edhe një Amerikë ta sheh si poligonin e perversiteteve të tij politike.

Ja që Amerika nuk është Prishtinë.

Ndjej keqardhje për miqtë e kolegët që po mundohen të nxjerrin krahasime mes Republikanëve të mëparshëm që shqiptarët s’i kishin përkrahur dhe mëpas po këta Republikanë i ktheheshin Kosovës. 

Janë të kota këso radhe krejt këto krahasime sepse, siç e thoshte Uki (Uk Lushi), një javë para zgjedhjeve:

“Pjesërisht fajtorë për degradimin operacional jemi të gjithë anëtarët e komunitetit, por akuza themelore duhet ngritur kundër përfaqësuesve të shteteve tona sepse shumica e tyre kanë privatizuar kontaktet me individë të caktuar të komunitetit duke anashkaluar dhe nënçmuar organizatat dhe shoqatat e shqiptaro-amerikanëve”.

Që i bie: elitat politike shqiptare edhe lidhjet me Amerikën i kanë bërë  allësh vërësh si çdo gjë i rrethon!

Ndryshe nuk do vinte kjo ditë: dita kur Martin Shkreli i mundi Edin e Hashimin.

4 Tetor

Buroja takon Devollin.

Kështu do ta quaja takimin e H.TH. me D.A.

I pari- si President i shtetit të ri, shtetit të tij, shtetit të Kosovës… dekoron poetin e fshatit, poetin e Enverit, Kryetarin e Shkrimtarëve (!!!)… me Dekoratën e Pavar(ë)sisë!

Prandaj nuk duhet çuditur kur në atë dekoratë mungon një “ë”. Aq e domosdoshme në Devoll. Poaq e panevojshme në Burojë!

20 Maj

1. ALBANIZACIJA – ( albanizimi) – imponim i gjuhës, kulturës dhe zakoneve shqiptare – duke pyetur ka dhënë disa përgjigje – në bazë të përvojës refugjatët ortodoksë sllavë nga territoret e Shqipërisë, të cilët kanë qenë para presionit sitematik të albanizimit, sidomos në periudhën pas Luftës së II-të Botërore.

2. Albaniziranje- ose- albanizirati.

3. Albanizirati – do thotë se edhe pse Malësorët (Malisori) janë albanizuar, e folura e tyre dallohet shumë nga standardi i gjuhës shqipe.

Tre pikat që i lexoj jo vetëm nga gazeta por edhe shkencëtarë/gjuhëtarë… për Fjalorin e Akademisë malazeze më bien ndesh me paralajmërimet dhe gëzimet e po mediave në shqip sesi i Pari i Kosovës, Hashimi, e ka vendosur të shkojë në Mal të Zi për të shënuar 10 vjetorin e pavarësimit të shtetit fqinj.

Nëse dikush pret që Hashimi do të flasë me dikënd në dikur Titograd e sot Podgoricë… e ka gabuar keq. Hashimi fal toka shqiptarësh për një vizitë e lëre më të flasë për fyerjet që “akademikët” malazias u bëjnë bashkëkombasve të tij…