Tag Archives: ditar

3 Tetor

Gjermania feston edhe këtë bashkim në Dresden- Qytetin e Muzikës dhe Lindjes, qytetin e pjesës së Gjermanisë prej nga sot vijnë edhe Kancelarja (Merkel) edhe Presidenti (Gauck).

Në fytyrat e tyre shihet trishtimi sesi bashkëqytetarët e tyre i shajnë dhe fyejnë (për politikën e Refugjatëve) dhe në shpirtërat e çdo gjermani ndjehet hutia, frika, trishtimi sesi ky vend kaq i pasur dhe kaq i kamë mund të bie në këtë humnerë imazhi…

Janë pakica dhe frika e çdokujt që një ditë mund të shëndërrohen edhe në shumicë është e arsyeshme!

1 Tetor

Lexoj në gjermanisht dhe e shoh që s’është vonuar të përcillet edhe në shqip: vepra e Kadaresë që me 22 Shtator është botuar në gjermanishte për herë të parë  (“Muzgu i Perëndive të Stepave”) do të jetë temë e Quartetit Letrar më 14 Tetor.

Ky po që është një lajm.

Jo vetëm pse për Kadarenë (më në fund) do të flasin tre kritikë letrarë por edhe pse Kadarenë në këtë raund s’e ka propozuar asnjëri prej kritikëve por një shkrimtar- i cili ftohet në rotacion dhe këso radhe është austriaku Tomas Glavinic.

Jam kurioz të shoh se çfarë Maxim Biller, Christine Westermann dhe Volker Weidermann do të kenë pro apo kundër Kadaresë.

Jam kurioz nëse eseu që tash disa ditë ia kam dërguar FAZ-it do të del para 14 Tetorit…

 

28 Shtator

Kthehet vera pas një shiu të gjatë dhe të lodhshëm dje.

Në pikun e vjeshtës të kesh verë dmth. sikur të kthehesh edhe vet në një jetë e një botë e cila të huton, të frikëson dhe para së gjithash të gëzon…

 

27 Shtator

Dy fakte.

I pari që nuk ngjau asnjë befasi dhe Clinton e shkallmoi Trump-in.

I dyti, Michel Houellebecq në fjalimin e tij të gjatë me rastin e marrjes së Çmimit Frank- Schirrmacher sërish provokon.  Por jo pa arsye. E sheh veten si profet… Pasi që tezat e tij për Xhihadin e Myslimanët jo vetëm që kanë bazë por në ato tashmë po jetësohen dhe se ne, europianët, qytetarët e Oksidentit po jetojmë në Matriarkat kurse ATA vijnë nga Patriarkati…

Fjalim që vlen të lexohet.

Fjalim që duhet të ruhet.

Fjalim që vet Houellebecq-un e nxjerr me një paradoks: disa herë betohet që është veç shkrimtar dhe jo mendimtar- por ky fjalim  nuk është gjë tjetër veçse një suadë mendimesh… Kontradiktore.

26 Shtator

Java e fundit e Shtatorit.

Dita e parë një jave të gjatë.

Me njëmijë e një fytyra, me njëmijë e një rrëfime.

Pa përjashtim.

Njerëz që s’i njoh- rrëfime që s’i pres.

24 Shtator

Të botosh apo të mos botosh- kjo është pyetja në të cilën  nuk është zor të përgjigjesh. Sepse të botosh sot, në këtë kohë që jeton dmth. të ulesh para secilit kompjuter- qoftë PC, ipad, iphone, tablet… e çkado tjetër dhe e sheh veten- të “botuar”.

Zor të shpjegohet.

E pamundshme të mendohet.

Puna e botimit është si puna e dikur shkuarjes në sinagogë, kishë, xhami… ku mezi prisje të dëgjoje fjalën e “të dërguarit”, “deshifruesit” të atij LART dhe pas Gutenbergut… pikërisht moshkuarjes në asnjërën prej tyre. S’ka nevojë të dëgjosh askënd- më së paku Rabinin, Priftin, Hoxhën… sepse e lexon vet.

Tash edhe i shkruajmë vet!

 

23 Shtator

E premte. Dita e fundit e një jave të pritshme dhe për këtë aspak çuditshme. Pos diellit i cili në mënyrë sovrane vazhdon të mbizotërojë në këtë nënqiell vjeshte… Asgjë nuk ngjet që mund të quhet- e pazakonshme.

Zakonshmëri e shpifur.

22 Shtator

Është mëngjesi i hershëm i datës 22 Shtator.

Dhe pa filluar dita duhet t’i thuash vetes:

sot duhet ta dish-

ku ishe

me kë ishe

(dhe nëse)

i ke thënë diç vetvetes?

16 Shtator

Lexoj në Nedeljnik të Beogradit për 30 Vjetorin e Memorandomit të Akademisë së Shkencave e Arteve të Serbisë (SANU). Një shtojcë dhe hulumtim impresiv: çfarë thonë njerëzit që shkruan “Mein Kampf”-in e tyre për Sllobën e Mirën… 30 vjet mëpas.

Të moçmit (Matija Bećković , Vasilije Krestić,Ljubiša Rakić)  janë siç ishin atbotë- në mos edhe më keq- sepse tashti bëhen viktima të të krejt pushteteve.

Por janë edhe të rinjtë- përfshirë edhe Kryetarin e Akademisë, Vladimir Kostić-in i cili nuk është hera e parë që flet më ndryshe. Është pra ky mjeku që para disa muajsh ua tha edhe politikanëve e edhe popullit të tij që Serbia e ka humbur Kosovën dhe tashti… thotë që “mjaft është mjaft”… dhe se Akademikët nuk duhet më ta bartin atë hipotekë të tmerrshme.

Them se do ta bajnë. Së paku këta që janë gjallë.

Çuditem sesi shqiptarëve u ka ikur kjo temë… Apo  të jenë shqiptarët (sidomos në Kosovë) kaq mirë sa s’kanë kohë të merren më me të.

14 Shtator

Si është kjo puna e gazetave? I lexon ende dikush?

Në kopertinat e librit të Michael Angele (Der Letze Zeitungsleser/Lexuesi i fundit i gazetës) flitet për Thomas Bernhard-in: në fshatin e tij ku jetonte (Ohlsdorf) nuk e gjen NZZ-in. Prej aty merr trenin dhe udhëton në Salzburg. As aty s’ka NZZ. Vazhdon në Bad Reichenhall dhe pastaj në Bad Hall dhe fare në fund në Steyr. Në fund sheh që ka bërë 350 kilometra për të blerë/lexuar një gazetë. Çmendi shkrimtari apo varësi lexuesi? Të dyja ngapak dhe pothuajse të paimagjinueshme sot- 30 vjet mëpas.

Ia vlen të lexohet tërë ky libër për një fakt (që tashmë e kam përjetuar në e për gjuhën shqipe) që po ngjet? Nuk e di…