Tag Archives: ditar

13 Shtator

Ka diçka që e trazon qetësinë e ende pushimeve verore. Zërat e fëmijëve në oborret e shtëpive të fqinjëve, në stacionet e tramvajeve, autobusëve, trenave, në dyqanet e mbushura më shumë se në 2 muajt e fundit… Është pragvjeshta dhe njeriu e ndjen që edhe përkundër ende vapës-  nga sot jeta do kthehet në ritmin e moçëm: atë të shkollës me zërat e gëzuar të fëmijëve të ngarkuar me çante e brenga… Të njoma.

A. & A. ma kujtojnë fëmijërinë.

Dy kohëra dhe dy vende krejtësisht tjera. Dhe sërish aq të ngjashme- së paku kur fillimi i një viti shkollor është në  pyetje.

 

12 Shtator

Ndjeja keqardhje për vetveten sepse nuk kisha këpucë— derisa nuk e takova një njeri i cili nuk kishte këmbë. Thotë proverba e njohur hebreje.

Ose siç Ibra, miku që s’e kam takuar qe sa javë, thotë: shiko më poshtë se ka edhe më keq!

11 Shtator

Një datë dhe dy ngjarje më lidhin sa herë është 11 Shtator.

I pari me Kullat Binjake. Nga ato tronditjet e mëdha kur edhe pas pesëmbëdhjetë vitesh e din se ku ke qenë në atë çast, me kë ke biseduar, çfarë ke bërë saktësisht atë çast dhe atë ditë…

I dyti me vdekjen e babait. Dhe këtu në ndërkohë çdo gjë është ngjizur me/në mua- nga fizikusi deri tek kujtimi i atij 11 Shtatori para një dekade..

Dy 11 Shtatorë- janë shumë. Dhe duhet t’i duroj e jetoj me ta.

9 Shtator

Dita e fundit e punës në një javë të çuditshme, shterpë, aq shterpë sa mendon që në këtë jetë dhe këtë botë asnjëherë nuk është bërë asgjë, asnjëherë nuk do të bëhet asgjë.

Nuk lidhet me ndonjë frikë.

Sepse, për të folur me Berkley, nëse ke frikë që do të dështosh atëherë edhe e meriton që të mos kesh sukses!

8 Shtator

Dita më e çuditshme në vendin e njëmijë e një fytyrave dhe njëmijë e një rrëfimeve.

Sikur janë harxhuar të dyjat: edhe njëmijë e një fytyrat edhe njëmijë e një rrëfimet.

T’i ketë shkrirë ky diell vere në këto fillime vjeshte apo presin atë grinë e përlyer të vjeshtës që të dalin sërish në sipërfaqe?

E din dielli.

E din grija.

28 Gusht

Zgjuarja e vonë si pasojë e natës së gjatë në kopshtin e Choukri.

Provoj të kthehem tek mbrëmja e kaluar dhe nuk kam si të mos jem sa falenderues për mikëpritjen e mrekullueshme… aq edhe të më vie keq që ky mik është kurd.

Sepse të jesh kurd në këtë fillimshekull dmth. të jesh si shqiptar në fillimshekullin e kaluar.  Para një shekulli shqiptarët iu dhuruan: Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë, Greqisë… Dhe vetëm pas një shekulli ata me mund u çliruan.

Kurse kurdët janë në shekullin e dytë të robërisë por edhe naivitetit të tyre: në Turqi, Iran, Irak, Siri…

Për këto gjëra na shkon mbrëmja së cilës s’ka si të mos i vihet pika sidomos tek “diaspora”. Tek shqiptarët e ri të cilët gjithandej në Europë e botë kanë ku të thirren (në europezimin dhe oksidentin) dhe kurdët të cilët janë në diasporë e Europë por ja që atdhetë e tyre ende s’e kanë kuptuar sa të rëndësishme janë lidhjet me diasporat e tyre.

 

25 Gusht

Nuk ka asgjë më të pështirë sesa kur e din që ke një ditë të pështirë dhe s’ke si ta ndalësh atë!

23 Gusht

Ditë me diell.

Verë në trup dhe vjeshtë në shpirt.

Situatë gadi se e padurueshme nga jashtë dhe brenda për brenda.

Kjo po që është një gjendje mezi e durueshme.

Vetëm gjumi dhe vënia në stand by e trupit dhe trurit janë… shpëtimi.

20 Gusht

Të presh barin në kopsht dhe të shkruash shkronja në faqen e bardhë të letrës (elektronike)- është pak a shumë e njejta gjë.

Janë shumë, tmerrësisht shumë.

Fije bari që duhen hequr.

Shkronja që duhen shkruar.