Dita e dytë pas kthimit në shtëpi dmth. ditë kur fillon heqja e pluhurit dhe jeta me kujtimet e dy javëve të shkuara. Pluhuri nga punishtja e letrave dhe faturave, planeve dhe postponimeve janë shenja e sigurtë për kthimin në çmendinë që i thonë jetë “normale”.
Është kthimi ai që i thotë trupit që duhet zgjuar në pesë të mëngjesit. Si zakonisht.
Këtë të diel vazhdoj të bëj shartimin e kujtimeve.
Më së shumti për afrikanët e plazheve italiane të cilat janë mija dhe kanë dhjetëra mijëra afrikanë të cilët tërë verën e lume ecin poshtë e lartë me sende që duan/duhet t’na i shesin neve pushuesve që bëhemi sikur s’i shohim apo shtyhemi me ta për 1 Euro… kur duam të blejmë një çantë, një vath, një top…
Batsch është i Fisit të Wolof në Senegal dhe Batsch ishte një prej atyre përjetimeve të pakrahasueshme dhe mrekullueshme për një miqësi sa të shkurtër aq edhe përjetshme. Batsch është babai i 8 fëmijëve që i ka në Senegal dhe çdo verë punon e punon e punon… Që ta mbajë familjen.
Miqësia prej 6 ditësh me Batsch ndoshta mund të përshkruhet vetëm me këtë fotografi të bërë nga A&A.