23/05

Ëndërra që nuk tregohen!

 

 

Ëndërrat nuk tregohen. Së paku unë nuk e bëj këtë gjë. Për shumë shkaqe. Por kryesori është ai që edhe nëse provohet kjo gjë, atëherë del që më tepër do t’i ngjajë ky kallzim një rikonstruktimi, rirrëfimi sesa që vërtet ëndërra do të tregohet ashtu siç është parë. Edhe shkencërisht është vërtetuar që pamja e një ëndërre nuk mund të zgjasë më shumë se një çasti i cili as me ca sekonda nuk mund të përmbledhet. Dhe tashti nga ajo gjë të bësh një rrëfim prej 5 minutash apo një ore nuk ia vlen!…

Askush nuk sheh ëndërra më tepër sesa që ata që jetojnë jashtë vendlindjes së tyre. Është malli, është lidhja me tokën dhe qiellin e cila të gjithë ata që u thonë emigrantë i bën të jenë aq të ngjashëm (Kundera), sepse sa herë që shtrihen ta bëjnë gjumin e natës, deshën apo jo, u shfaqen ato ëndërra, të cilat mëpas, sërish deshën apo jo, u duhet që t’i mbajnë mbi supe gjatë ditës dhe jetës së përditshme. E cila u bëhet edhe më e rëndë.

Çka nëse ëndërrat shtohen? Nëse jetën ta bëjnë edhe më të vështirë dhe padurueshme? Unë e kam patur për këtë vetëm një zgjidhje. Kjo është që thjesht të shkohet atje ku edhe ëndërrat të çojnë. Në vendlindje.

Meqë atë pranverë të vitit 2002 kishin filluar që të bëheshin të padurueshme vendosa që të lë punën dhe çdo gjë prapa vetes dhe të marr rrugën e vendlindjes. Edhepse ndodhesha në mes të një procesi gjyqësor në Berlin ku levërdia materiale si përkthyes që i duhen sa më shumë termine dhe ditë pune ishte shumë e madhe, pasi që grupi i vendasve të mij që gjykohej nuk kishte lënë gjë pa bërë- nga droga e thyerja e pompave të benzinit deri tek prostitucioni dhe transportimi ilegal i njerëzve, nuk mundja më. Kryetarit të trupit gjykues i kërkova leje me arsyetimin që isha i sëmurë keq dhe i premtova që zëvendësimi që do të dërgoja ishte poaq e mbase edhe më i mirë. Nita më zëvendësonte. Ajo nuk pritonte ta bënte këtë punë dhe me siguri që me këtë gjyq dhe me paraqitjen e saj do të ma zinte vendin përgjithmonë aty sepse me sharmin e saj do ta bënte kryetarin e gjyqit që ta ftonte përgjithmonë në procese tjera. Mirëpo aq më bënte për këtë gjë.

Kryesorja për mua ishte që tashti isha në vendlindjen time. Që për ato 10 ditë nuk do të shihja më ëndërra. Që do të çmallesha me njerëzit e mi. Në shëti, kafene, restorane, para televizorit…

Para se të bëja çdo gjë dhe duke mos çarë më kokën për ëndërrat vendosa që të ndërroja kartën e telefonit celular posa mbërriva. E kisha nga vizita e kaluar para një viti e gjysmë. Por herën e kaluar nuk e kisha përdorur fare atë kartë të vendlindjes. Dhe më kishte krisur koka nga llogaria e lartë që më kishte ardhur për telefonin gjerman. Prandaj këso radhe kisha vendosur të mos e përsëritja atë gabim. Mirëpo ja që befasia e parë ishte që karta e vendlindjes nuk funkciononte. Dhe kjo më bënte të çmendesha.

“Po mund ta marrësh një të re”, më tha Tani, shoku im i fëmijërisë, i cili më përcillte tërë kohën në vendlindje.

“Jo jo, do të shkojmë në një dyqan telefonash!”, i thash unë i vendosur.

Goca e dyqanit të telefonave nuk më priti mirë. As që ma vari bile. Doja që karta e moçme të më funkciononte e ajo provonte të më bindte që kjo gjë nuk do ngjante sepse nuk e kisha përdorur qe një vit e më tepër. Pa ditur as vet pse, gjaku filloi të më nxehet dhe me këtë edhe zëri të më ngritet. Doja ta përmabaja veten por ja që nuk shkonte.

“Sa herë që ju na vini nxeheni kështu pa ditur as vet pse”, më tha Tani i cili dukej të ishte zënë ngusht me mua.

Duke provuar të më bindte që të qetësohesha, e pash që një djalosh i ri, i veshur me të zeza dhe një këmish të bardhë, më qëndronte tek krahu.

“Do ta rregullojmë këtë problem zotëri. Nuk kak asgjë tragjike këtu”, më tha djaloshi. Dhe më mori në këndin tjetër të dyçanit. Nxori nga sirtari i poshtëm i tryezës një kuti me karta dhe prej aty edhe një kartë për mua. “Ja ku e keni”, më tha ai.

“Ishte nga shërbimi i sigurimit të dyqanit!”, më tha Tani i cili derisa pinim kafenë e mesditës më shpotiste me fjalët që në vendin ku unë jetoja kurrën e kurrës nuk do të më shërbenin ashtu me mirësjellje.

Nuk doja ta pyesja Tanin se si është e mundshme që për atë problem timin të përkujdesej dikush që është nga sigurimi e jo punëtorët normal të atyshëm.

Tekefundit kjo edhe nuk kishte aq shumë rëndësi. Kryesorja ishte që atë qëndrim në vendlindje e shfrytëzova si e më mirë. Pa shpenzuar celular dhe pa parë ëndërra. Kohë pas kohe, kur kaloja pranë dyqanit të telefonëve më ngjante ta shihja djaloshin e sigurimit i cili duket që bënte çdo punë të mundshme në atë vend. Ishte nga ato personazhet simpatike që më kishte mbetur në mbamendje edhe kur isha kthyer në Gjermani.

Ajo që me Nitën kishte ngjarë m’u vërtetua. Ajo ma kishte zënë vendin e punës në Gjykatën e Berlinit. Kryetari thjesht marrosur pas saj.

Një ditë, duke marrë trenin nga Berlini për në Frankfurt ku policia më kishte ftuar të përktheja ca inçizime të një grupi dilerësh të drogës mora gazetën. Meqë zakonisht në stacione trenash bleja gjithmonë shtypin e vendlindjes edhe atë ditë e bëra atë gjë.

Në ballinat e gazetave ndodhej fotografia e tij. Djaloshit nga dyqani i celularëve. Tregohej sesi kishte provuar të vidhte paratë e fituara aty. Nuk mund ta besoja që ai kishte provuar ta vidhte vendin në të cilin punonte. Prej asaj dite, ëndërrat filluan sërish të më shfaqen. Ëndërra që nuk tregohen!