E lexova dikund emrin e Ali Podrimjes. Më duket se e citonet dikush t’u ketë thënë shkrimtarëve serbë, në vitet 90 sesi edhe shqiptarët gënjejnë por kur e bëjnë këtë gjë këta bile skuqen. Nuk dua të skuqem dhe ta kërkoj në internet datën e saktë të vdekjes së tij. Nëse s’gaboj ende s’janë mbushur tre vite nga vdekja e tij. Thuajse ka kjo ndonjë rëndësi.
Nuk e di pse më kujtohet këtë mëngjes. Në këtë çast kur jam ulur në trenin i cili merr rrugën nga Stuttgarti për në Paris më kujtohet sepse më duket sikur ende jeton. Dy apo tre ditë para se të nisej për në Francë më merr në telefon. Pasi ashtu, siç e ka patur zakon, shpejt e shpejt më pyet si jam, si e kam “nusen” dhe vajzat më flet për udhëtimin e tij më pyet se kur do të udhëtoj në pushime dhe a do t’ia mësyej Kosovës, dhe në fund, fare në fund, nëse ka ndonjë plan të ri, për ndonjë lexim, prezantim në Gjermani. Për mua dhe natyrisht edhe për të. Ndjehej më i sigurtë kur ishim bashkë.
Bashkë një vit e gjysmë më parë kishim bërë edhe udhëtimin tonë të fundit në Gjermani. Së pari në Berlin pastaj në Leipzig në Panair të Librit dhe prej aty në Stuttgart prej nga e kisha përcjellur për në Prishtinë.
Derisa mendoj veneroj nga dritarja e TGV-së drejt këtij nënqielli gri i cili më shumë do t’i shkonte një nëntori a dhjetori sesa një marsi, them me vete: shyqyr që s’është Aliu Guenther Grass. Të dy kanë vdekur por për këtë të dytin në një hark kohor prej disa muajsh kam lexuar dy kujtime të shqiptarëve për të. Njërin të një autori nga Koosva dhe tjetrin të një diplomati nga Shqipëria. Të dy gjermanofolës dhe të dy me pozita komfortable në fundshekullin e kaluar. S’dua t’ua përmend emrat sepse edhe nuk ia vlen edhe nuk ka ndonjë hajr prej asaj pune. Por ajo që dua të them dhe me këtë edhe pyes veten është: ku ishin këta dy herifat që s’na e kujtuan miqësinë e tyre me Grass-in sa ky ishte gjallë? Them që Aliu i ndjerë s’ka patur edhe aq të drejtë kur ka folur për shqiptarët që për dallim nga serbët skuqen kur gënjejnë.
Për udhëtimin (e fundit) me Aiun trup e tërthorë tokave gjermane… herë tjetër. Pa dhënë garancinë që (nuk) do të skuqem.