22 Shkurt

Fund i pauzës së gjatë. Jashtë. Jashtë në botën me njëmijë e një rrëfime dhe njëmijë e një fytyra. Dhe këtë mëngjes të hershëm shumë më të hershëm se normali ia ndaloj vetes soditësin, vështruesin, vëzhguesin.

Pas sa e sa kohësh me vete në çantë e kam edhe labtob-in.

Kutia e kujtimeve. Para, gjatë dhe pas lufta. Gazetaria. Konferencat për shtyp. Udhëtimet me tren. Linjat Bonn- Bruksel, Koeln, Berlin, Stuttgart… Munih, Vjenë, Zuerich, Hagë… Pa ndalur. Telefonata të pafundme, korrespondenca për gazeta. Lajme më të shpejta sesa jeta që jetohej.

1995-2007… Më shumë se dhjetë vite.

Pastaj qetësia. Avionët. Ballkani. Europa.

I mendoj dhe provoj të shkruaj për Sportin nga këndi i kulturës së kujtimeve. Diçka që mezi shkon. Sepse ka shumë kujtime të cilat sa nuk janë të mijat aq kanë edhe versionet vetanake. Shoh që është e pamundshme të lexoj diçka sepse secili e ka versionin e tij të tregimit. Të së vërtetës.

Iki në botën time të kujtimeve. Pasojave të jetës së atëhershme të cilat njeriu nëse mundet, jo, dëshiron u kthehet me kujdesin më të madh të mundshëm që mos e zgjojë bishën. Plot hamendje dhe pikëpyetje nëse ishte kështu apo ashtu.

Pas një ore udhëtimi dhe mezi 30 rreshtave futem në botën e njëmijë fytyrave dhe rrëfimeve. Prej të cilave mezi dalin 10. Ndoshta edhe më pak.

Në buzëmbrëmje i gëzohem jo vetëm kthimit me tren por edhe një kafeje në bistro. Punëtori prapa banakut është një Saraç. Nga ulësja poshtë vagonit ia njoh kokën. Kodi gjenetik.

Ma sjell kafenë dhe më pyet nëse bën të ulet.

E mbylli labtob me të cilin shihet që s’mund të shoqërohem më si në një kohë tjetër, të shkuar, përjtesësisht dhe dëgjoj Saraçin. Punëtorin shqiptar të Deutsche Bahn.