Plaka në tramvaj. Duhet të jetë shqiptare. Është e ulur vet. Thur çorape sikur të ishte në një dhomë ndeje pranë një oxhaku në shtëpinë e saj në një fshat të Kosovës. Një grua- gjermane, italiane, spanjolle… futet me karrocën dhe fëmiun në të në tramvaj.
Plaka lëviz nga vendi dhe në shqip i thotë: hajde ulu këtu. I lëshon vendin në mënyrë që në vetëm atë ulëse gruaja ta ketë pranë karrocën dhe me këtë edhe fëmiun e saj.
Falenderimi i gruas gjermane, italiane, spanjolle, është i madh… disa herë.
Plaka vazhdon të thurë çorapet e saj. Dhe ta injorojë atë vend dhe krismën e rrotave të hekurta të tramvajit. Bashkë me zërin e konferansieres e cila lajmëron stacionet.